LAJMI I FUNDIT:

Kajtazi: Kryeministri nuk më kërkoi falje, do të kërkoj dëmshpërblim (Video)

Kajtazi: Kryeministri nuk më kërkoi falje, do të kërkoj dëmshpërblim (Video)

Gazetari Vehbi Kajtazi, duke iu referuar kërcënimit që, sipas tij, e ka marrë një ditë më parë nga kryeministri i vendit, thotë se “nuk kam mendue se deri në këtë nivel ka me ra Kryeministri i një vendi”.

“Unë e marr seriozisht kërcënimin e tij, për shkak të pozitës se tij dhe guximit të tij, se e dijmë gjithë se ai e përdor policinë për hesape të veta. Kam shkrue edhe vet për këto gjana”, tha Kajtazi, në emisionin Rrokum Roll të TV Rrokum.


Duke thënë se Kryeministri u tall me qytetarët që iknin nga vendi, ai shtoi se “është e dhimbshme që Kryeministri më shumë kujdeset për imazhin politik, sesa për vëllaun e tij”.

Duke arsyetuar lajmin e tij, Kajtazi tha se kur lajmit thotë që turmës se ikjes së qytetarëve i është bashkue edhe vëllau i Kryeministrit, atëherë kjo e përbën një lajm të madh, të cilin, siç thotë, e kanë marrë dhe e kanë publikuar edhe mediat ndërkombëtare.

Ai ka folur edhe për biseden telefonike që kishte me kryeministrin.

“Biseda ka qenë e shkurtë, 55 sekonda. Sot e kam publikue numrin dhe marr përgjegjsi për shkelje të privatësisë në këtë rast”, tha Kajtazi, duke treguar telefonin me numrin privat të Kryeministrit Mustafa.

“Ai nuk e mohoi që m’ka telefonue, veç që më ka kërcënue. Atëherë kush mundet me m’thirrë prej numrit të tij. Kush mundet me m’thane mue ‘a s’ki punë tjetër veç me u marrë me vëllaun tem a’, kush?”, pyeti Kajtazi.

Kajtazi shtoi se ka pritur nga Kryeministrit t’i kërkojë falje, por siç tha ai, “kur as ministrit Abrashi nuk ia ka hapë telefonin, atëherë menjëherë e kam publikue rastin”.

Kajtazi sqaron se bisedën e incizuuar e ka vetem atë të ministrit Abrashi, e jo edhe te Kryeministrit Mustafa, e si arsyetim ai dha – është në Viber ende s’e kam aplikacionin.

“Kryeministri dje e ka bërë një gjest që ndoshta sot është pendue, por nuk ka kërkuar falje, e kjo të lë me kuptue se kërcënimi është më serioz”, vlerësoi ai.

Kajtazi tha se do të kërkojë dëmshpërblim nga Kryeministri për shqetësimet që ia ka bërë atij personalisht dhe familjes se tij.

“Po pres çka ka me ndërmarrë shteti, i cili drejtohet nga Isa Mustafa”, tha ai.

Kajtazi theksoi se nëse organet kompetente vlerësojnë se ky është kërcënim, atëherë Kryeministri duhet të japë dorëheqje dhe të dalë para drejtësisë.