LAJMI I FUNDIT:

Kafka nuk shkon në plazh

Kafka nuk shkon në plazh

Nga: Carlos Fuentes
Përzgjodhi dhe përktheu: Bajram Karabolli

– E ke lexuar Kafkën?- më pyeti Milan Kundera.

– Sigurisht,- iu përgjigja.- Besoj se është shkrimtari i domosdoshëm i shekullit XX.

Kundera, duke buzëqeshur ironikisht, pyeti:

– E ke lexuar në gjermanisht?

– Jo,- i them.

– Atëherë, nuk e ke lexuar Kafkën,- përfundoi ai.

Gjykimi i Milan Kunderës për veçorinë e papërkthyeshmërisë së gjermanishtes të përdorur nga Kafka lejon një përjashtim të dukshëm dhe të hijshëm, të bërë tashmë në kastejano. Përkthimi i Migel Saensit (Franc Kafka, Vepra e plotë. Galaxia Gutenberg-Circulo de Lectores, Barcelona) është aq i shkëlqyer, sa dyshoj shumë në efektin e ironisë së mikut tim Milan.

Kafka, shkrimtari i domosdoshëm i shekullit të tmerrshëm XX.

Pa atë, nuk do ta kuptonim kohën tonë.

Vepra e Kafkës ka merituar, njëherazi, dy nderime latinoamerikane. Një, është romani i meksikanit Sealtiel Alatriste, Dëmi, i publikuar nga Sudamericana. Tjetër, është eseja e pabotuar: Kritikë për arsyen ironike, e filozofit kilian Martín Hopenhayn.

Alatriste i jep një drejtim të pazakontë legjendës patriarkale të Kafkës, për të transmetuar te nëna një pamje të dhimbshme dhe një ndikim mëshire: hesht që të flasë i biri. Ajo braktis talentin e saj për muzikën, që t’i hapë rrugë talentit të të birit për letërsinë. Megjithatë, ajo e dinte se i biri ishte duke shkruar Metamorfozën, ndërkohë që ajo i binte violës.

Në aktin e të shkruarit ka një ndarje midis nënës dhe djalit. Më përpara, gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës, nënë e birë, tregonin ëndrrat e tyre. Kur Franci filloi t’i shkruante ato, nëna mendoi: “nuk ngjaj fare me nënën e fëmijërisë tënde”. I biri është bërë si i huaj dhe nëna e qorton heshtazi. “Një biri nuk i lejohet […] t’i tregojë me aq ashpërsi ndjenjat e prindërve të tij, aq më pak t’i përvetësojë e t’i bëjë të tijat.”

Nëna lexon birin e huaj dhe bëhet edhe ajo e huaj. Biri është “tjetër”. Është një vjedhës me personalitet të huaj. Është një shkrimtar. Por, duke i vjedhur personalitetin së ëmës, a nuk i ka dhënë dashurinë, të pronësuar e deri shkatërruese, për ta bërë më të vetën se kurrë?

Alatriste është zot i një proze të qetë që, me efekte të çuditshme, qëndron në mes të rrugës, midis depersonalizimit ekstrem të romaneve të Kafkës dhe intimitetit solipsist të Ditarëve të shkrimtarit. Këtë temë rrok Martín Hopenhayn, filozofi brilant kilian, i cili është një nga kokat (në të gjitha kuptimet) e mendimit hispanoamerikan.

Ditarët,- tregon Hopenhayn,- u japin romaneve rezonancën subjektive, për të cilën ato kanë nevojë. Nuk ka asnjë të fshehtë në fiksionin e Kafkës. Ditarët, përkundrazi, janë rezonanca e brendshme e pasioneve të jashtme. Ky është një përplotësim i ankthshëm, sa herë që protagonistët e romaneve janë heronj të arsyes. Vuajnë, ngaqë janë të mënjanuar nga arsyeja. Por nuk kuptojnë “arsyet” që i mënjanojnë.

Kësisoj, “racionaliteti” i tyre është formuar për t’u shpërndarë në një sistem mospërfillës dhe për ta parë vetveten jashtë procesit të formalizimit të jetës shoqërore.

Mu për këtë, skenifikimi i pazakontë kafkian i marrëdhënieve midis individit dhe pushtetit, pa dyshim, është më i shkëlqyeri, më shqetësuesi dhe më aktuali që mund të jetë shkruar këto njëqind vitet e fundit.

Individi i Kafkës është një parazit, shkruan Hopenhayn, që do të donte të pushonte së qeni i tillë, por që, kundër dëshirës së vet, zbulon botën e parazitëve, të cilët sistemi i do për të ushtruar pushtetin. “Heroi” kafkian kërkon vetëm të jetë i mbrojtur nga pushteti. Por, me t’iu dorëzuar pushtetit, pa dashur, ia gris maskën atij.

“Heroi” kafkian, falë mendjeplogështisë dhe jo inteligjencës së tij, zbulon themelin arbitrar të pushtetit. Te Kafka, Perandori nuk zhvishet nga një kritik i Perandorit. Lakuriqësia e pushtetit zbulohet nga pamundësia që kanë subjektet e tij për të deshifruar synimet e pushtetit.

Fuqia letrare e Kafkës rrjedh nga një fakt: fiksionet e tij përshkruajnë një pushtet që e bën tejet të efektshëm vetë fiksionin. Te Proçesi, si edhe te Kështjella, Kafka përshkruan një zbrazëtirë pushteti që paraqitet si diçka e mbushur plotësisht. E njohim mirë gënjeshtrën që uzurpon pushtetin, por, megjithatë, mbetemi të habitur përpara prezantuesit që na e fsheh.

Pushteti i Kafkës ushtron sundimin e vet, duke qenë pastërtisht virtual. Autoritetet e kështjellës qëndrojnë përherë të paprekur, vetëm ngaqë janë të fuqishëm.

Për pasojë, viktima e pushtetit (Josef K., Arëmatësi) imagjinon një pushtet proporcional me forcën e mungesës së tij. Rregulli i rregullave të pushtetit është pasiguria lidhur me aplikimin e tij.

Franc Kafka vdiq më 1924 dhe nuk mundi ta parashikonte me saktësinë e historianit kronologjik se, dhjetë vjet më pas, imagjinata e tij e skëterrshme për pushtetin do të bëhej realitet historik. Dhe ja, mbërriti nata kur do të arrestoheshin pa arsye dhe pa shfajësim viktimat e tij: Gestapoja apo NKVD po arrestonin vetë Franc Kafkën. A ka gjë më kafkiane se mbërritja në Minsk, më 1937, e shokut Komisar I. V. Kovalev, për të marrë funksionet e tij drejtuese, kur të gjitha zyrat ishin plotësisht bosh, ngaqë paraardhësi i tij dhe gjithë funksionarët e tjerë u pushkatuan si tradhtarë nga Stalini?

Mihail Kolcov, korrespodent i IZVESTIA-s gjatë luftës civile në Spanjë, në mënyrë kafkiane deklaroi se, nëse Stalini do ta shpallte atë, Kolcovin, tradhtar, vetë Kolcovi do ta besonte, edhe pse nuk ishte aspak e vërtetë.

Dhe, në fakt, Kolcovi u burgos dhe u ekzekutua, si një numër më shumë, që duhej në llogarinë e arrestimeve të policisë sekrete, vetëm për të kënaqur diktatorin, duke e pasur të qartë se edhe ata vetë, domethënë xhelatët, do të ishin viktimat e ardhshme të paranojës staliniane.

Por, Kafka nuk është politolog. Është shkrimtar. Gjë që tregon se, në të kundërt të asaj që mund të ndodhë në historinë politike, në historinë vetjake, e mbi të gjitha në imagjinatën vetjake, ndodh një dramë dyshimesh, verbërish, dykuptimësish dhe heroizmash memece, që mbushen me ushtrimin e pushtetit në hapësirën e një dhome gjumi, të një zyre apo të një shtrati.

Grigor Samsa, te Metamorfoza, kthehet në brumbull, jo vetëm për të ikur prej të atit, por për t’i ikur administruesit, tregtisë, për të shpëtuar prej burokratëve, siç na thonë Felix Guattari dhe Gilles Deleuze në studimin e tyre të famshëm Kafka: Për një letërsi më të re.

Hopenhayn, me mendjemprehtësi, shton: brumbulli Samsa nuk është plotësisht brumbull. Ai vazhdon të mendojë. Vetëdija e përdor trupin si mbulesë dhe, njëherazi, e burgos. Nëse aty ka ironi, kjo ndodh ngaqë vetë ironia duhet të na nxjerrë nga konteksti dhe të hapë një hendek midis botës dhe unit.

Zbrazëtia kthehet në urë lidhëse midis botës dhe unit. Domethënë, ironia është vetë metamorfoza, përfundon Hopenhayn. Ligji është i çmendur, por është ligj. Dhe një paraqitje e pashtershme detyrimi e pengon Gregorin, Jozef K. apo Arëmatësin, të përmbush detyrën. Prandaj do të ndëshkohen.

Kafka që bëri portretin e tmerreve të pushtetit në shekullin XX, ka mundësi që të jetë edhe profeti i pushtetit të shekullit XXI. Ky lloj pushteti u duk qartë, tepër qartë, në Aushvicin e Hitlerit dhe në Gulagun e Stalinit. Sot, pushteti ka gjetur mënyra të reja për t’u bërë i padukshëm, duke treguar më mirë se kurrë, se vetë viktima e tij e fuqizon atë.

Shpesh, në plazhet e Spanjës, ku kaloj një pjesë të verës, vë re leximet verore të pushuesve. E di mirë se autorët: Tom Clancy, Michael Crichton…, herë-herë tregojnë të njëjtën histori. Lexuesi pasiv e di dhe i pëlqen. Çdo gjë e çudit, ngaqë asgjë nuk e ka magjepsur.

Nganjëherë, ka vite, habitesha me lexuesit e plazhit dhe të pishinës, që lexonin Horhe Volpin (Çmim i Bibliotekës së Shkurtër), apo Manuel Visent dhe Klara Sançes (Çmimi Alfaguara). Pa dyshim, këtë vit gjeta shumë lexues të romanit Festa e cjapit, të Mario Vargas Llosa.

Por, i pamposhtur, do të vazhdoj të kërkoj lexuesin e stërvitur apo lexuesen e pareduktueshme që merr me vete në plazh Veprën e plot të Franc Kafkës. Është e qartë: autori çek mund të shkaktojë një eklips diellor dhe një dallgëzim, që i kthen hotelet në kështjella rëre… dhe plazhistët në bubuzhina.