LAJMI I FUNDIT:

Kadri Hazbiu më 1973: Burrat me flokë si të grave, ndalohen të hyjnë në Shqipëri

Kadri Hazbiu më 1973: Burrat me flokë si të grave, ndalohen të hyjnë në Shqipëri

Nga: Dashnor Kaloçi

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), ku ndodhen disa dokumente që i përkasin vitit 1973, ku Ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, ka nxjerrë një urdhëresë drejtuar Pikave Kufitare të Kalim Kontrollit dhe Drejtorisë së Doganave, me disa kritere që duhet të zbatoheshin për të gjithë shtetasit e huaj që hynin në Republikën Popullore të Shqipërisë, lidhur me veshjen e paraqitjen e jashtme të tyre, si flokët e gjata, basetat etj., që “binin ndesh me normat e moralit tonë socialist”, si dhe ndalimin e literaturës fetare që ata mund të dispononin etj. Si dhe dokumenti me raport-informacionin e Drejtorisë së Doganave pranë Ministrisë së Tregtisë, drejtuar Drejtorisë së Jashtme në Komitetin Qendror të PPSH-së, lidhur me ngjarjen e datës 20.7.1973, ku një grup turistësh të firmës “Retel Tours das rrollende hotel”, të Gjermanisë Perëndimore, në përbërje të të cilit ishin 36 gjermanë, pesë austriakë dhe një luksemburgas, u ndaluan të hynin në Doganën e Hanit të Hotit, pasi dispononin literaturë fetare etj.

Dokumenti i vitit 1973 me urdhëresën e ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, dërguar Pikave Kufitare të Kalim Kontrollit dhe Drejtorisë së Doganave, lidhur me disa kritere që duhet të plotësonin të gjithë shtetasit e huaj që hynin në Republikën Popullore të Shqipërisë, lidhur me veshjen e paraqitjen e tyre të jashtme, si flokët e gjata, basetat etj.

***

“MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
Nr. 479
Ekzemplar Nr. 1
Tiranë më 4.5.1973

                                                                       K R I T E R E

Mbi ndalimin e hyrjes në RPSh të shtetasve të huaj që në veshjen dhe paraqitjen e jashtme bien në kundërshtim me normat e moralit tonë socialist

Për të ruajtur rregullat e paraqitjes në vendin tonë socialist, si dhe për të penguar ndikimin e ideologjisë borgjezo revizioniste nëpërmjet, veshjes dhe paraqitjes ekstravagante të të huajve që vijnë në RPSh për arsye të ndryshme, si dhe nëpërmjet literaturës që ata sjellin me vete, të zbatohen kriteret e mëposhtme :

1 – Të mos lejohen të hyjnë në RPSh të gjithë ata persona të huaj që me paraqitjen e jashtme, janë në kundërshtim me normat e moralit tonë socialist si p.sh., burra me flokë si të grave, me baseta shumë të ekzagjeruara, me mjekra të çrregullta, si dhe me veshje të papërshtatshme, konkretisht femra me minifunde dhe maxifunde.

2 – Të mos lejohet kalimi i asnjë lloj literature me përmbajtje kundërrevolucionare, fetare, e pornografike. Kjo lloj literature, të mbahet në dogana dhe nëse poseduesi i tyre i kërkon, t’ju jepet në kthim.

3 – Literatura teknike, kulturore, e artistike, lejohet për të gjithë të huajt që vijnë në vendin tone, në masën e një ose dy copë librave apo revistave që pretendohet se janë në përdorim personal. Ndërsa sasia tjetër e kësaj literature, ndalohet dhe niset menjëherë në Drejtorinë e Doganave e cila, mbasi bën verifikimet në bazë të rregullave e dërgon këtë pa vonesë në institucionin ose dikasterin që pret të huajin.

4 – Personat me përmbajtje të papërshtatshme dhe ata që sjellin literaturë në ndaluar duhet të trajtohen në mënyrë korrekte dhe të kulturuar nga organet kufitare dhe doganore, duke ua bërë të qartë arsyet përse merren këto masa. Të gjithë ata të huaj që do të korrigjojnë në vend, paraqitjen dhe veshjen e tyre, lejohen të hyjnë në territorin e RPSH-së.

5 – Organet kufitare e doganore, nuk zbatojnë masat e parashikuara në pikat 1. 2. dhe 3.

A – Për diplomatët e akredituar në RPSH-së dhe nëpunësat e përfaqësive diplomatike e tregtare, si dhe për pjesëtarët e familjeve të tyre.

B – Për funksionarët e Ministrive të Punëve të Jashtme, korrierët diplomatik të vendeve të huaja që kanë përfaqësi diplomatike në Tiranë.

6 – Organet kufitare dhe doganore nuk zbatojnë masat e parashikuara në pikën 1.

A – Për anëtarët e delegacioneve zyrtare që priten nga dikasteret ose institucionet e ndryshme të vendit tonë.

B – Për pjesëtarët e ekipeve sportive që vijnë me ftesën e vendit tonë ose, në kuadrin e takimeve sportive ndërkombëtare.

Personat që përmenden në pikën 5 dhe 6, do të lihen të lirë të kalojnë kufirin e vendit tonë, pavarësisht nga paraqitja e tyre. Në raste të tilla pikat e kalim kufirit dhe organet doganore në mënyrë të kulturuar, u vënë atyre në dukje se rregullat e vendit tonë, nuk lejojnë një paraqitje të tillë, megjithatë ju jeni të lirë të kaloni.

Krahas kësaj për çdo rast ato, u dërgojnë sa më shpejt organit të tyre epror një informacion të hollësishëm mbi këto konstatime.

Informacioni i përcillet institucionit pritës i cili, i merr vetë masat për rregullimin e paraqitjes së tyre.

Ministri i Punëve të Brendshme
Kadri Hazbiu”
(sic.)

/Memorie/