LAJMI I FUNDIT:

A ka rrezik që Mali i Zi të kthehet kundër Kosovës? – flet zëvendëskryeministri Gjeloshaj

A ka rrezik që Mali i Zi të kthehet kundër Kosovës? – flet zëvendëskryeministri Gjeloshaj

Më 31 tetor të këtij viti, Kuvendi i Malit të Zi zgjodhi për kryeministër Millojko Spajiq. Qeveria mori mbështetjen e 46 deputetëve, 19 votuan kundër dhe 1 abstenoi.

Në këtë qeveri zëvendëskryeministër u zgjodh edhe ish kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj.

Gjeloshaj në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, ka folur për qeverinë e kaluar të udhëhequr nga Dritan Abazoviq, sa ishte ky kryetar i komunës së Tuzit.

“Sa kam qenë unë kryetar më janë ndërruar tri qeveri, por më e mira ka qenë ajo e Abazoviqit, kanë qenë investimet më të mëdha sidomos në infrastrukturë”, tha Gjeloshaj.

Ai ka folur për qeverinë e Abazoviqit ku tha se si parti kanë qenë pjesë e saj por, sipas tij në qeverinë e kaluar është bërë pak e është fol shumë.

“Mendoj që është tepru sepse janë marrë meritat nga politika aty ku nuk i takon. Mendoj që kontrabandën nuk e ndalë qeveria edhe pse ka pasur gjëra të tilla. Mendoj që ato i bëjnë institucionet e tjera, kemi policinë, prokurorinë”, tha Gjeloshaj.

Ai tutje duke iu referuar deklaratave të ish-kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, që tha se ka shkatërruar mafian në këtë shtet, tha se do të dëshironte të besonte këtë.

“Kisha dashtë të ishte ashtu sinqerisht, si prind njëherë e pastaj si politikan por mendoj që këtë nuk kanë mundur ta bëjnë shtete shumë më të zhvilluara e le më Mali i Zi, që është në një tranzicion apo duke e gjet rrugën me shku në tranzicion”, tha tutje Gjeloshaj.

Ai shtoi se në gjyqësor nuk ka askush besim në Mal të Zi.

“Kërkush nuk ka besim që gjykohet në bazë të fakteve dhe në bazë të ligjit sepse këtë sistem e kanë krijuar në kohëra që nuk ka pasur lidhje profesionalizmi. Dhe i kanë krijuar strukturat ku, drejtuesit e tyre për momentin nuk janë në liri. Gjyqësori mendoj që është i kapun”, shtoi zv/kryeministri i Malit të Zi.

Gjeloshaj ka folur edhe për doganën dhe policinë ku tha se nëse nuk luftohet korrupsioni në këto dy sisteme, nuk do të ketë zhvillim ekonomik.

“Mendoj që po duhet ta bëjmë këtë së bashku edhe me ndihmën e ndërkombëtarëve”, tha Gjeloshaj.

Gjeloshaj votoi pro zgjedhjes për kryetar kuvendi Mandiqin i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës

Kryetari i sapo zgjedhur i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, ka deklaruar se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Gjeloshaj ka votuar që Mandiq të bëhet i pari i legjislativit.

Ai ka thënë se i mjafton që Mali i Zi e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

“Unë jam këtu për t’i respektuar marrëveshjet dhe mua më mjafton ajo që Mali i Zi do të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjitha shtetet që i ka njohur. Ne jemi marr vesh me Mandiqin që nëse ai voton qeverinë tonë, ne do të votojmë që ai të bëhet kryetar”, ka shpjeguar Gjeloshaj.

Ai ka shtuar se nëse Kosovës do t’i duhet vota e Malit të Zi, do ta ketë atë.

“Mali i Zi do ta përkrah Kosovën në secilën organizatë ndërkombëtare, unë kam biseduar edhe me kryeministrin dhe më ka konfirmuar dhe ka thënë që as që më shkon ndër mend me mendu ndonjë gjë tjëtër, por nëse do të ndodh ndonjë gjë e tillë unë më nuk do të jem zëvendëskryeministër dhe gjithë shqiptarët nuk do të jenë pjesë e qeverisë”, tha Gjeloshaj.

I pyetur se nëse kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca do ta vizitonte Mandiqin, a do të pranonte ky i fundit që ta takonte.

“Unë mendoj që po, do ta takonte, nëse Konjufca vjen në Mal të Zi mendoj që duhet të takohet me kryetarin e kuvendit të Malit të Zi”,  tha Gjeloshaj.

“11 deputetë e kanë qëndrimin e tyre sikur çdo serb që Kosova është pjesë e rezolutës 1244, por mendoj që edhe ata vet e dinë që ku është duke shkuar kjo çështje”, tha ndër tjerash Gjeloshaj.

Pse Kurti nuk i uroi pozitën e re Gjeloshajt?

Gjeloshaj, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka uruar as kur është bërë kryetar i Tuzit e as tash që është emëruar në pozitën e re si zv/kryeministër.

“Albin Kurti nuk ma ka uru as kur jam bo kryetar i Tuzit. Ndonëse e njoh Kurtin, kam komunikim, kemi pasur bashkëpunim edhe para se me u bo ai kryeministër. Unë e kam përkrah, më ka kërkuar që ta përkrah dhe e kam përkrahë, por kur jam zgjedh kryetar i Tuzit nuk ma ka uruar prandaj jam befasu por nuk e di pse”, ka thënë Gjeloshaj.

Tutje, ai ka shtuar se para disa muajsh është pritur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Më ka pritur si kryetar të Tuzit, kemi folur për bashkëpunim, për Tuzin etj…..”, tha Gjeloshaj.

Ai ka kujtuar edhe një rast në kohën e pandemisë kur kishte kërkuar ndihmë nga kryeministri, Albin Kurti, por që ky i fundit nuk i ishte përgjigjur.

“Kemi pasur bllokim të mjeteve të komunës nga Qeveria e Malit të Zi, dhe kam kërkuar ndihmë nga Kosova por s’më është përgjigjur. As po, as jo, Albinit iu kam drejtu”, ka shtuar Gjeloshaj.

Përderisa ka thënë se të njëjtën gjë e ka bërë edhe me Qeverinë e Shqipërisë dhe e njëjta nuk i është përgjigjur fare.

“Të njejtën kërkesë e kam bërë edhe në qeverinë e Shqipërisë sa isha kryetar i Tuzit, por nuk janë përgjigjur as ata. Bile në struktura partiake e kanë përmend këtë kur kanë vendosur me hy në qeveri. Barrën kryesore e kam unë. Më kanë thënë që unanim me hy në qeveri nga partia ime edhe ma kanë përmend këtë, më kanë thënë a të kujtohet kryetar kur na bllokoi mjetet financiare qeveria, s’kem pas as fonde për rroga ti je drejtuar me një kërkesë qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë edhe as sot nuk kanë përgjigje”, thotë ish kryetari i komunës së Tuzit.

Nik Gjeloshaj ka folur edhe për marrëveshjen e ish kryeministrit Dritan Abazoviq për kishën ortodokse serbe.

Ai ka thënë se nuk e ka votuar këtë marrëveshje sepse sipas tij nuk ka qenë e nevojshme.

“Nuk është dashtë me e bo në atë kohë, nuk është dasht me u bo me atë përbërje edhe kurrë nuk e kisha përkrah, nuk e kisha votu”, tha Gjeloshaj.

Ai ka shtuar se në qeverinë e Malit të Zi nuk ka parti pro ruse, gjithashtu sipas tij ky shtet asnjëherë nuk do të punojë kundër interesave të Kosovës.

“Ministrat, zëvendësministrat, i takojnë partive euroatlantike. E vërtetë që kjo qeveri është votuar nga ato parti pro ruse e që atyre u ka takuar pozita e kryetarit të kuvendit”- shtoi ai.

Gjeloshaj ka thënë se shumë shpejt do të bëhet ekstradimi i serbit Momqillo Vukotiq, i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës nën dyshimin për kryerjen e krimeve të luftës gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

Ai ka shtuar se personalisht është interesuar rreth kësaj çështje.

“Mendoj që shumë shpejt do të ekstradohet. Kam kërkuar informata për të. E nga Kosova s’më ka pyetur askush, por et jam interesuar. I kam thënë ministrit të Drejtësisë që të më jap info rreth kësaj, kur ka të bëjë me çështje të shqiptarëve nuk ka nevojë askush të më pyes për t’u interesuar rreth asaj çështje. Vendimi i këtij ministri është skandaloz, mendoj që nuk është argumentuar, por duke e njohur këtë ministër mendoj që ky vendim është jo në rregull”- tha Gjeloshaj.

Ai ka thënë se e njeh ministrin paraprak të Drejtësisë, i cili e kishte refuzuar kërkesën e Kosovës për ekstradim dhe për këtë arsye ka kërkuar verifikim të lëndës.

“Ja di mendimet atij. Andaj kam kërkuar verifikim”, ka thënë zv/kryeministri Gjeloshaj.

Ai është pyetur edhe nëse Mali i Zi do ta ekstradonte në Kosovë nëse ndonjëri nga terroristët që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë më 24 shtator do të strehoheshin në Mal të Zi.

“Ata për ne janë terrorista kanë bërë akt terrorist dhe do të vepronim njëjtë si ndaj çdo terroristi”, u përgjigj Gjeloshaj.