LAJMI I FUNDIT:

A i ka numrat pozita për ta kaluar buxhetin pa votat e opozitës?

A i ka numrat pozita për ta kaluar buxhetin pa votat e opozitës?

Deputetet e Kuvendit të Kosovës, pritet ta votojnë sot buxhetin e propozuar nga Qeveria e Kosovës, për vitin 2019. Por duke parë brishtësinë dhe numrin e votave që i ka Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj, votimi i buxhetit mund të rrezikohet.

Partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë thënë se nuk do ta votojnë këtë buxhet.


“Sa i përket votës, jemi deklaruar sa herë që vota e LDK-së është kundër buxhetit. Ndërkohë debate për leximin e parë është kryer, në fakt nuk ka më debat, në seancën e kaluar nuk ka pasur kuorum të votohet. Në çfarëdo skenar, buxheti i vitit 2019 nuk i ka votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë për Telegrafin, deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami.

Votën kundër Projektbuxhetit për vitin 2019, e kanë deklaruar edhe në Lëvizjen Vetëvendosje.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi, tha për Telegrafin se nuk do ta mbështesin buxhetin për vitin 2019.

“Sa i përket qëndrimit tonë ndaj buxhetit, ne kemi thënë që jo. Edhe në leximin e parë kemi thënë që ky buxhet nuk i plotëson asnjë kriter të vetëm për të votuar. Kështu që qëndrimi është shumë i prerë, Lëvizja Vetëvendosje nuk e mbështet këtë buxhet”, tha Bislimi.

E deputetë të PDK-së kanë thënë se buxhetin duhet ta votojë edhe opozita sepse është i ndarë në mënyrë më të mirë të mundëshme.

“Dua të besoj se edhe opozita do të jetë pjesë e seancës. Buxheti është i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, për të gjitha institucionet, madje është edhe për jetën e të gjithëve, prandaj unë i ftoj të gjithë që ta votojnë këtë buxhet. Besoj se ka arsye të forta për ta votuar këtë buxhet dhe nuk ka asnjë arsye që të mos votohet, pasi është një buxhet i shpërndarë në mënyrë më të mirë të mundshme”, tha për Telegrafin, deputetja e PDK-së Safete Hadërgjonaj.

Në muajin tetor, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektbuxhetin për vitin 2019, i cili parashihet të arrijë shifrën mbi 2 miliardë e 300 milionë euro. /Telegrafi/