Juventusi ka luajtur baras me rezultat 1-1 në shtëpi ndaj Atalantas në kuadër të javës së pestë në elitën e futbollit italian.

“Zonja e Vjetër” ishte pothuajse për të gjithë ndeshjen ekipi më i mirë në fushë, por kjo nuk iu mjaftoi për të arkëtuar pikët e plota.


Vetëm në pjesën e parë talenti Vasilje Adzic pati tri raste të mira për të kaluar Juventusin në epërsi, por nuk ia doli që të gjejë rrjetën.

Mysafirët rastin e parë serioz e patën në minutën e 28-të me anë të mbrojtësit shqiptar Berat Gjimshiti, gjuajtja e të cilit me kokë ishte afër që të përfundonte në rrjetë.

Në minutën e 34-të në skenë doli sërish Adzic, por pavarësisht tentimeve të tij të njëpasnjëshme, ai nuk ia doli ta mposhtë italianin Marco Carnesecchi.

Pak minuta pa përfunduar pjesa e parë, Atalanta kaloi në epërsi falë një super goli të realizuar nga Kamaldeen Sulemana për rezultatin 1-0.

“Zonja e Vjetër” ia doli që të barazojë shifrat në minutën e 78-të me anë të Juan Cabal i cili po ashtu realizoi një gol të bukur për 1-1.

Juventusi pati mundësinë që ta fitonte ndeshjen në minutën e 92-të, por goditjen e bukur të Edon Zhegrovës e ndali portieri mysafir, i cili sonte padyshim ishte lojtari më i mirë i ndeshjes.

Pas këtij barazimi, “Bianconerët” shkojnë në kuotën e 11 pikëve dhe aktualisht mbajnë pozitën e dytë në tabelë./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app