Juventusi ka siguruar një kualifikim të rëndësishëm në çerekfinalet e Kupës së Italisë, pasi mposhti Udinesen me rezultat 0-2, në një sfidë ku ekipi i Luciano Spallettit ishte superior dhe e menaxhoi me qetësi ndeshjen nga fillimi deri në fund.

Zonja e Vjetër kaloi në epërsi në minutën e 23-të, kur Jonathan David finalizoi me qetësi një pasim të saktë, duke goditur në këndin e poshtëm.


Vetëm pak minuta më vonë, David e dërgoi sërish topin në rrjetë (33’), por goli u anulua për pozicion jashtë loje – vendim i konfirmuar nga VAR-i.

Edhe Udinese pati një gol të anuluar për pozitë jashtëloje (30’), dhe pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0.

Në minutën e 56-të, Juventus u detyrua të kryente një ndërrim të detyruar, me Manuel Locatelli që zëvendësoi Federico Gattin e lënduar.

Vetëm pak minuta më pas erdhi momenti vendimtar i ndeshjes: një ndërhyrje në zonë çoi në shqyrtim nga VAR-i, dhe në minutën e 67-të gjyqtari akordoi penallti.

Manuel Locatelli mori përgjegjësinë dhe realizoi në mënyrë perfekte për 0-2, duke mbyllur praktikisht ndeshjen.

Në minutën e 81-të, Luciano Spalletti hodhi në fushë Edon Zhegrovën, i cili luajti mbi dhjetë minuta dhe u përdor si zëvendësimi i fundit i Juventusit. Shqiptari ishte i pandalshëm për aq minuta sa luajti, duke i ngritur në këmbë tifozët në tribuna.

Në kohën shtesë, Juventusi shënoi edhe një herë, kur Joao Mario asisoi te Lois Openda, që shënoi për 3-0. Por edhe ky gol u anulua nga VAR për pozitë jashtëloje.


Me këtë fitore dhe me kontroll të plotë, Juventusi kualifikohet në çerekfinale të Kupës së Italisë. Tani bardhezinjtë presin kundërshtarin e radhës, fituesin e ndeshjes Atalanta – Genoa, për të mësuar se kundër kujt do të luftojnë për një vend në gjysmëfinale. /Telegrafi/

telegrafi sport app