Juventusi gati të shesë tre lojtarë për shkak të vendimit të trajnerit – të gjithë ndajnë detaje interesante

Juventusi duket i vendosur të përfitojë financiarisht duke u ndarë me tre futbollistë që nuk hyjnë në planet e trajnerit Igor Tudor: Arthur Melo, Facundo Gonzalez dhe Tiago Djalo.
Sipas mediave italiane, tekniku kroat ka vendosur të mos mbështetet te trioja, të cilët nuk e kanë bindur as gjatë fazës përgatitore këtë verë.
Arthur – Mesfushori brazilian, i transferuar në vitin 2020 për plot 72 milionë euro, nuk ka luajtur për “Zonjën e Vjetër” që nga sezoni 2021/22.
Pas huazimeve te Liverpool, Fiorentina dhe Girona, ai mund të rikthehet në klubin e tij të parë, Gremio. Vlera e tij aktuale ka rënë ndjeshëm, duke u llogaritur vetëm 5 milionë euro nga Transfermarkt.
Facundo Gonzalez – Qendërmbrojtësi uruguaian, i blerë për 2 milionë euro në vitin 2023, ka kaluar vetëm në huazime.
Së fundmi, për të raportohet interesim nga La Liga, konkretisht nga Rayo Vallecano.
Tiago Djalo – Mbrojtësi portugez iu bashkua Juventusit në vitin 2024 për 5 milionë euro dhe luajti vetëm një ndeshje para se të huazohej te Porto.
Shitja e tyre mbetet një sfidë për klubin torinez, pasi asnjëri prej tyre nuk ka arritur të fitojë hapësirë në skuadër, jo vetëm me Tudor, por as me trajnerët e mëparshëm. /Telegrafi/




















































