LAJMI I FUNDIT:

Jetesa në Lindje të Gjermanisë, 30 vjet pas ribashkimit

Jetesa në Lindje të Gjermanisë, 30 vjet pas ribashkimit

Raportet vjetore të qeverisë gjermane për zhvillimin e Lindjes së Gjermanisë tërheqin çdo vit vëmendjen. Gjendja e bashkimit, siç quhet zyrtarisht, analizohet në to përsa u përket kushteve të jetesës në ish-territorin e ish-RDGj-së dhe fuqisë ekonomike të landeve federale lindore. Një bazë e mirë për të konstatuar ecurinë është krahasimi me pjesën perëndimore të Gjermanisë, por edhe me shtete të tjera evropiane.

Në vitin e 30-të që nga ribashkimi i Gjermanisë, i Ngarkuari i ri qeverisë për Lindjen, Marco Wanderwitz, paraqiti një raport të gjatë e kritik. Wanderwitz, që vjen vetë nga landi lindor i Saksonisë, shkruan se nga Lindja vazhdojnë të largohen shumë njerëz; se në Lindje është veçanërisht i përhapur ekstremizmi i djathtë; se jo vetëm Perëndimi i ka dhënë Lindjes, por edhe Lindja e ka ndikuar Perëndimin.


Në tërësi në raport konstatohet se është kapërcyer në masë të madhe ndarja e thellë midis Perëndimit dhe Lindjes, e cila pati 40 vjet socializëm me RDGj. Kjo vlen për lirinë e demokracinë, për kushtet rajonale të jetesës dhe për fuqinë ekonomike. Ky është konstatimi i të Ngarkuarit të qeverisë për landet lindore të Gjermanisë, pra për landet Meklenburg-Forpommerani, Brandenburg, Saksoni-Anhalt, Saksoni dhe Tyringen, që më parë kanë qenë territor i RDGJ.

I Ngarkuari i qeverisë gjermane tha se fuqia mesatare ekonomike e landeve lindore me Berlinin është aktualisht 79,1 për qind e mesatares së Gjermanisë. Pra, është katërfishuar prej vitit 1990.

Fuqia ekonomike e landeve të Lindjes gjermane në këtë mënyrë tani është e krahasueshme me fuqinë ekonomike të shumë rajoneve franceze. Njëkohësisht, nuk duhet harruar se asnjë land i Lindjes nuk e ka arritur ekonomikisht as landin më të dobët të Perëndimit të Gjermanisë.

Në Lindje mungojnë edhe më tej rajone të forta ekonomikisht, ku të ketë një denduri të madhe vendesh pune, rajone që mund të ishin me interes për sipërmarrje të mëdha, me orientim ndërkombëtar, p.sh. në fushën e kërkimeve. Është fakt edhe se qendrat e koncerneve të mëdha ndodhen të gjitha në Perëndim të Gjermanisë.

Kjo bën që landet lindore të mbledhin më pak taksa, pra të kenë më pak të ardhura. Por, në fakt, kjo gjendje ka qenë historikisht e tillë, edhe para RDGj-së: koncernet e mëdha kanë qenë të përqendruara në Perëndim të Gjermanisë.

Veç kësaj, vazhdon ikja e njerëzve nga Lindja drejt Perëndimit të Gjermanisë. Aktualisht janë kryesisht të rinjtë që ikin.

Numri i banorëve në Lindje tani është aq sa ka qenë në vitin 1905. Ka edhe kthime në Lindje të Gjermanisë. Por, numri i kthimeve nuk i kalon rregullisht largimet. Në këto kushte, shoqëria në Lindje të Gjermanisë po plaket me shpejtësi.

I ngarkuari i qeverisë gjermane tha se vjetërimi strukturor i shoqërisë lindore mund të kompensohet vetëm me migrantë. Që në Lindje, jo rrallë, janë të padëshiruar. Ai tha se po të mos paraqitën tërheqës për migrantët landet lindore, atëherë imigrimi atje “nuk do të ndodhë”.

Fakti që migrantët shpesh nuk preferohen në Lindje, nga njëra anë shpjegohet me traditën, pasi RDGj ka qenë shtet i mbyllur, si shtet komunist që ishte. Punëtorët e paktë që vinin në RDGj nga shtete socialiste, si p.sh. nga Vietnami, jetonin në blloqe banimi, të veçuar.

Nga ana tjetër, në raport thuhet se në landet lindore ekstremizmi i djathtë është veçanërisht i përhapur; se radhët e partisë ultra të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), vazhdojnë të mbushen përditë me anëtarë të rinj. Dhe në Lindje mbushen kryesisht me ekstremistë të djathtë.

Në Lindje ka probleme edhe për qëndrimin ndaj demokracisë. Vetëm një në katër vetë e sheh në Lindje demokracinë si formën më të mirë shtetërore. Kurse, në Perëndim të Gjermanisë, janë 91 për qind, që e thonë këtë. Raporti konstaton se në Lindje ka edhe një tendencë për ta paraqitur të zbutur natyrën represive të Republikës Demokratike Gjermane si shtet.

Njëkohësisht edhe në Lindje ka elementë pozitivë për t’u veçuar. Në Jena, për shembull, është krijuar një bërthamë industriale shumë moderne dhe inovative për optikën dhe fotonikën. Në trekëndëshin Dresden-Chemnitz-Freiberg, industria e çipave elektronikë është një nga adresat kryesore në Evropë.

Matthias Höhn, deputet në Bundestag i partisë E Majta, partisë ku është shkrirë partia shtet e RDGJ-së, Partia Socialiste e Bashkuar (SED), e kritikoi raportin, se ai zbukuron. Ai tha se gjermanolindorët ndihen në pikëpamje sociale si njerëz pa rëndësi. Meqenëse vetëm tre për qind e gjermanolindorëve mbajnë pozicione drejtuese në Gjermani, kur popullsia e Lindjes së Gjermanisë është 17 për qind e popullsisë së gjithë Gjermanisë. Gjermania e bashkuar ka aktualisht 83,02 milionë banorë.

Deputeti i së Majtës kujtoi edhe se në Lindje punohet më gjatë dhe fitohet shumë më pak se në Perëndim. Po edhe raporti i qeverisë gjermane pranon se në shumë drejtime duhet bërë më shumë. Kështu në komisionin që zgjedh gjykatësit në Bundestag tani nuk ka më diskutim: që kur të zgjidhen gjykatësit federalë të shikohet që ata të vijnë edhe nga Lindja e Gjermanisë.

I ngarkuari i qeverisë gjermane për Lindjen tha shprehimisht se “gjen më shumë gjëra që bashkojnë se gjëra që ndajnë” Lindjen nga Perëndimi i Gjermanisë. Afrimi i kushteve të jetesës po avancon, por shumë ngadalë. Nga ana tjetër: që prej rënies së Murit në 1989, Lindja i ka dhënë impulse pozitive edhe Perëndimit. Për shembull që të dalin më shumë femra nga shtëpia për të punuar, të mos rrinë shtëpiake; në shtimin e numrit të kopshteve ditore në Perëndim; apo edhe në konceptet për zhvillimin e arsimit në Perëndim. Në sajë të traditës në Lindje të Gjermanisë, edhe sot atje ka p.sh. rrjet më të dendur kopshtesh e përkujdesjeje sociale. /DW/

Në trend

Më shumë
Digjet një fabrikë teknologjike në Berlin - ajo prodhon një armë të fuqishme të mbrojtjes ajrore, kishte furnizuar edhe Ukrainën

Digjet një fabrikë teknologjike në Berlin - ajo prodhon një armë të fuqishme të mbrojtjes ajrore, kishte furnizuar edhe Ukrainën

Evropa
Amerikani u kthye nga varrimi i xhaxhait dhe gjeti të bijën duke luajtur letra – pyeti kush fiton dhe përgjigja e tmerroi

Amerikani u kthye nga varrimi i xhaxhait dhe gjeti të bijën duke luajtur letra – pyeti kush fiton dhe përgjigja e tmerroi

Amerika
Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Magazina
Profesori shqiptar nga Londra: Në Britani të Madhe i gjithë spektri politik është pro Kosovës

Profesori shqiptar nga Londra: Në Britani të Madhe i gjithë spektri politik është pro Kosovës

Lajme
Bayern Munich nuk po gjen trajner të ri, deklarata e fundit e Thomas Tuchel bën ‘lëmsh’ ambientin bavarez

Bayern Munich nuk po gjen trajner të ri, deklarata e fundit e Thomas Tuchel bën ‘lëmsh’ ambientin bavarez

Bundesliga
Një milion qytetarë të regjistruar deri më tani, dalin statistikat sipas komunave

Një milion qytetarë të regjistruar deri më tani, dalin statistikat sipas komunave

Lajme
Kalo në kategori