LAJMI I FUNDIT:

Jeta në kohën e modernizimit në Kinë

Jeta në kohën e modernizimit në Kinë

Njëzetepesë vjetët e fundit, Kina e ka çaktivizuar bombën demografike nëpërmjet politikës efikase të kufizimit të lindjeve, që nuk është zbatuar ndonjëherë tjetër në botë. Ligji i birit të vetëm ka frenuar dhunshëm rritjen e popullsisë, që tashmë rritet vetëm 0.7 për qind në vit.

Një brez më parë, Kina kishte një herë e gjysmë më shumë banorë se India; pas 10 viteve India do të ketë arritur kuotën 1,4 miliard. Suksesi kinez nuk ka kaluar pa dhimbje. Kur ligji u miratua në fund të viteve 1970, kontrolli i lindjeve, sidomos në fshat, kryhej nga Partia Komuniste me metoda autoritare, përfshirë edhe abortet e detyrueshme që kundërshtohen nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut. Më pas, instrumentet u zbutën dhe u morën masa si rendimi fiskal dhe heqje e asistencës pas fëmijës së parë, rritjen e taksave dhe shkollim i shtrenjtë. Përjashtimet nuk mungonin në zonat më të pazhvilluara e disa pakicave etnike apo për t’u vënë fre vrasjeve të vajzave në fshatra, autoritet mbyllën një sy për fëmijën e dytë. Edhe procesi i emancipimit të gruas, rritja e nivelit arsimor dhe punësimi i grave kanë luajtur një rol vendimtar në rënien e pjellshmërisë.


Sot, në metropolet e amerikanizuara, si Pekini, Shangai dhe Guangzhou, ku të rinjtë parapëlqejnë ta shijojnë mirëqenien dhe gratë synojnë të bëjnë karrierë, është përhapur moda e çifteve që zgjedhin të mos kenë fëmijë me vullnetin e tyre, pa ndonjë detyrim nga lart. Por, shumë shpejt, qeverisë së Pekinit iu desh të përballej me të gjitha problemet që sjell mungesa e lindjeve, plakja e përshpejtuar e popullsisë, problemi i pensioneve, kriza e sistemit shëndetësor. Shangai, qyteti i financës, kryeqyteti i bumit industrial, po ballafaqohet me simptomat e mungesës së të rinjve në tregun e punës. Duke treguar njëherësh se është në ballë të ndryshimeve politike, Shangai e theu i pari tabunë: autoritetet e qytetit ofruan lehtësi fiskale për çiftet që lindin dy fëmijë. Në nivel kombëtar, presidenti Hu Zhin Tao emëroi një grup pune prej 250 demografësh dhe ekonomistësh, që kishin për detyrë rishqyrtimin e politikës së lindjeve. Disa ekspertë këshillojnë zbatimin e domosdoshëm për të siguruar një baraspeshë midis pleqve dhe të rinjve.

Për një vend që ende mbetet i ngulitur në mendjen tonë si i mbipopulluar, problemet janë përmbysur në mënyrë dramatike. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, pas 25 vitesh mosha mesatare e kinezëve do ta ketë kapërcyer atë të amerikanëve.

Në vitin 2005, pjesa e popullsisë mbi moshën 60-vjeçare do të jetë mbi 300 milionë dhe ndërkaq brezat më të rinj po mpaken. Situata është rënduar edhe për faktin se Kina nuk zotëron një sistem të denjë përkujdesje ndaj moshës së tretë. Vetëm kohët e fundit, qeveria ka botuar një libër “të bardhë” mbi pensionet, ku analizon çështje të së ardhmes së të moshuarve. Shumica e popullsisë, fshatarët e imigruar në qytet, nëpunësit e ndërmarrjeve të vogla, punonjësit e pavarur – duhet të përballen me pleqërinë pa pasur një rrjet të mbrojtjes sociale. Deri tani, vetëm nëpunësit e ndërmarrjeve të mëdha dhe atyre shtetërore gëzojnë një lloj përkujdesjeje kolektive. Për gjithë të tjerët, niveli i jetesës në pleqëri varet nga kursimet dhe ndihma e fëmijëve. Në traditën konfuqiane (në Kinë), familja ishte bërthama e çdo gjeje, një sistem që funksiononte në Kinën perandorake, ku të moshuarit ishin të rrethuar nga një ushtri e tërë bijsh, nusesh, nipash e stërnipash. Tanimë ekziston një recetë e pazbatueshme për Kinën e Birit të vetëm, që teorikisht të mbajë prindër dhe gjyshër përherë e me jetëgjatë. Emergjenca e të moshuarve bëhet edhe më e rëndësishme, pasi Kina, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara dhe Japonia, ka pasur pak kohë për të përgatitur fazën e re demografike.

Është me vend batuta e ekonomistit Hu Ang Ange e Universitetit Qinghua të Pekinit: “Ndryshe nga perëndimorët dhe japonezët, ne rrezikojmë të plakemi para se të bëhemi të pasur”. Në 2040, popullsia e plakur kineze do ta ketë kaluar atë amerikane.

Dhe, pavarësisht se në atë periudhë PBB do ta ketë kaluar dhe atë të ShBA-së, nuk do të jetë kështu për të ardhurat për frymë të banorëve, kështu që niveli mesatar i jetesës do të mbetet më i ulët se ai i perëndimorëve. Kjo përshpejton rëndimin e situatës së plakjes, sepse pasuritë e nevojshme për të krijuar një mënyrë jetese moderne nuk do të jenë të mjaftueshme në krahasim me përmasat demografike.

Përveç problemeve të përkujdesjes dhe problemeve ekonomike, kontrolli i lindjeve ka shkaktuar përmbysje të vlerave dhe ndryshimin e zakoneve. Kina e “100 milionë bijve të vetëm” është shndërruar në një shoqëri me individualistë, me egoistë, që dalëngadalë po e kthen adhurimin për fëmijët në respekt për të moshuarit. Tani që janë më të paktë në numër, fëmijët i shohin si ujët e pakët, i llastojnë e i përkëdhelin si në shoqëritë konsumiste. Një dukuri shoqërore krejt e panjohur në historinë e shoqërisë kineze, ku mbizotëron autoriteti i të moshuarve. Xiao Huangdi i ka quajtur këta fëmijë “perandorë të vegjël”. Në një intervistë të botuar në “Beijing Star Daily”, Jang Xiao Shen, njeri i shquar i letrave, i ka cilësuar këta “bij të vetëm” si egocentrikë, karrieristë të pamëshirshëm që nuk i pranojnë kritikat.

Brezi i prindërve dhe gjyshërve që u detyruan të ndërprisnin studimet gjatë viteve të tmerrshme të Revolucionit Kulturor, sot i sakrifikojnë tërë kursimet e tyre për të paguar shkollat e fëmijëve dhe nipërve (shuma që paguajnë shkon nga 6-20 mijë dollarë në vit). Shumë të kushtueshme janë edhe shkollat private të Pekinit apo Shangait që i përgatisin “perandorët e vegjël” për universitete elitare dhe i çojnë drejt suksesit profesional.

Për arsye ekonomike dhe për t’i dhënë fund mplakjes së brezit rinor, udhëheqësit e Pekinit janë të detyruar të rishikojnë kontrollin e lindjeve, një ndër sukseset më të pakta të komunizmit. Por, nuk është e thënë që shoqëria kineze t’i bindet kaq lehtë ndërrimit të kursit siç ndodhi çerek shekulli më parë. Kur njerëzve t’u vijë ftesa për të bërë fëmijën e dytë, do të jetë shumë vonë.

Përveç plakjes së popullsisë, një tjetër problem demografik që Kina duhet të përballojë është përpjesëtimi i zhdrejtë midis meshkujve dhe femrave. Në të vërtetë, problemi në fjalë nuk është krejt i ri. Në shekullin XIX lindi koncepti i “degëve të thata”. Ishin pikërisht ata nismëtarët e trazirave shoqërore më të dhunshme që e tronditën Kinën nga kryengritja e Huapeit gjatë zisë së vitit 1850 deri te Lufta e Boksierëve. “Degët e thata” ishin djelmoshat e dënuar të mbeteshin pa gra e pa fëmijë për shkak të mungesës së vazhdueshme të femrave në shoqërinë kineze. Kjo është një pasojë perverse e një sistemi hierarkik dhe vlerash familjare, që privilegjonte meshkujt dhe nxiste vrasjen e fëmijëve-vajza. Edhe në Kinën e sotme ka shumë meshkuj pa gra, aq sa drejtuesit e sotëm po fillojnë të shqetësohen për konfliktet që mund të rrjedhin.

Qeveria e Pekinit ka vendosur t’u afrojë mbështetje ekonomike familjeve që lindnin vajza. Plani i ri që zuri fill në vitin 2004 u quajt “ndihmë për vajzat”. Prindërit e një vajze kanë të drejtë të kompensohen nga shteti për shpenzimet e shkollimit, përfitojnë policë sigurimi derisa vajza të arrijë moshën e pjekurisë, paguajnë qira banesash shumë të ulëta dhe kanë lehtësira në punësim. Të gjitha këto masa nxitëse janë tepër bujare për një vend ku gjithçka po privatizohet dhe shërbimet, dikur publike dhe falas, si arsimi fjala vjen, sot peshojnë në ekonominë familjare. Kjo dëshmon se mungesa e vajzave apo tërësia e meshkujve është burim shqetësimi për autoritetet e Pekinit. Programi “Ndihme për vajzat” i ndërmarrë nga Zhang Uei Qingu, kryetar i komisionit kombëtar për planifikimin demografik u zbatua që të krijojë një mjedis të përshtatshëm për gratë, të rregullojë shpërpjesëtimin e lindjeve dhe të nxisë barazinë ndërmjet sekseve.

Pavarësisht se në vitet 1970 shumica e kinezëve iu nënshtruan udhëzimit për fëmijën e vetëm, nuk u hoq dorë nga vlerat e lashta si besimtare në “epërsinë e mashkullit”, është fjala për paragjykimet e prapambetura, të mbeturinave të një shoqërie fshatare ku femrat konsideroheshin si më pak produktive. Kjo, edhe sepse pas martese ishin të detyruara të shërbenin në familjen e burrit dhe të kujdeseshin për prindërit e tij. Meqë çiftet bënin vetëm një fëmijë u bë e domosdoshme lindja e një trashëgimtari mashkull. Në vitet ’80, vrasja e vajzave të porsalindura mori përmasa shumë të mëdha dhe kjo i detyroi autoritetet të ndryshonin qëndrim: nëse fëmija i parë është vajzë, automatikisht të lind e drejta që të kishe një fëmijë të dytë. Por as kjo nuk mjaftoi: me burimin ekonomik dhe rritjen e të ardhurave në të gjithë Kinën gjeti përdorim instrumenti mjekësor i ekografisë. Mundësia për të mësuar me siguri seksin e fëmijës në bark të nënës çoi në përdorimin e abortit kur fëmijët ishin vajza. Para kësaj prirje të re, Pekini ndaloi ekografitë, por pa ndonjë arritje, duke i dhënë ca para nën dorë mjekut dhe kryetarit të komunës në fshat mund të arrije ta bëje ekografinë para lindjes. Shpërpjesëtimi midis sekseve është i lartë. Në bazë të sondazheve të fundit demografik, Kina ka 120 meshkuj për 100 femra. Në disa zona jugore si Guangdongu dhe ishulli Hainna, raporti shkon 130 meshkuj për 100 femra. Në vitin 1980, hendeku ishte në shifrat 108 për 100 vajza (raporti fiziologjik në shumicën e vendeve të botës është 105 me 100). D.m.th., kemi përkeqshim të madh vitet e fundit. Me këto ritme, Kina në fund të 10-vjeçarit do të ketëë 30-40 milionë meshkuj të dënuar me beqari. Kjo tepri meshkujsh do të shkaktojë patologji dhe tensione sociale.

Dy sociologe amerikane, Andrea Den Boer dhe Valeri Hadson, kanë krijuar një studim të rëndësishëm të titulluar “ndikimi i mbipopullimit me meshkuj në sigurinë e Azisë. Është një studim që nuk duhet shpërfillur nga pushtetarët e Pekinit. Dy autorët paraqesin shembuj nga historia, që tregojnë se si tepria e djelmoshave e ka shtuar nivelin e dhunës, luftërave, revolucioneve, terrorizmit, luftërave civile dhe konflikteve sociale të çdo lloji. Në Amerikë, ky studim shihet me shqetësim dhe teorizohet që në të ardhmen Kina do jetë agresive dhe militariste. Ndërsa në Pekin ndoshta kanë ndjerë një tjetër rrezik, atë të destabilitetit të brendshëm.

Pas planit “ndihmë për vajzat”, fshihet frika e krijimit të një brezi gati për të shpërthyer. Mjafton të shohësh pamjet e filmuara të vitit 1989 për të kuptuar që ata që u vunë gjoksin tankeve nuk qenë gratë e moshuara. Vala e fundit të protestave si dhe shumë të tjerave më parë pati protagonistë studentë dhe pjesa më e madhe e tyre ishin meshkuj.