Njohësi i sigurisë, Avni Islami ka reaguar pas vendimit që Gjykata Themelore në Prishtinë i dha Jelena Gjukanoviqit.

Islami përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se sot u vulos drejtësia pasi Jelena Gjukanoviq u shpall fajtore dhe u dënua me 6 vite burgim për spiunazh.


“Institucionet e Kosovës, duke vepruar si një mekanizëm i koordinuar dhe i pathyeshëm, arritën të dekonspirojnë agjenten serbe dhe rrjetin e saj. Kur në provat dhe faktet e mbledhura nga prokuroria dhe kur involvohet AKI-ja, nuk ka as më të voglën mundësi për t’i kontestuar. Mesazhi është i qartë: në Republikën e Kosovës nuk ka vend për agjentë e bashkëpunëtorë që cenojnë sigurinë dhe shtetin tonë”, ka shkruar Islami.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtore Jelena Gjukanoviq, ish-zyrtare e OSBE-së, duke e dënuar me 6 vjet burgim për veprën penale të spiunazhit.

Sipas aktgjykimit, Gjukanoviq është shpallur fajtore për bashkëpunim me shërbimin sekret serb BIA, duke përcjellë informacione të ndjeshme që lidhen me sigurinë dhe institucionet e Kosovës. /Telegrafi/