Javën e ardhshme, kontrata kolektive për punëtorët e arsimit

Kryetari i sindikatës, Rrahman Jasharaj, tha për Radio Kosovën, se kontrata për mësimdhënësit specifikon të gjitha çështjet e natyrës së arsimit parauniversitar. “Ndërkohë, që kontrata e përgjithshme kolektive nuk saktëson specifikat në fushën e arsimit”, tha Jasharaj.
“Në kontratën kolektive për punëtorët e arsimit janë të precizuara 26 çështje kyçe që lidhen me arsimin, duke filluar nga mënyra e të punësuarit, nga norma, ruajtja e vendit të punës, kush mund të jetë tepricë teknologjike, duke vazhduar me pushimin e lehonisë, shujtën, çështjen e udhëtimit, me çështjen e natyrës së punës së mësimdhënësit, por edhe obligimin që kanë ata ndaj punëdhënësit”, tha ai.
Selvie Halimi, këshilltare e Ministrit të Arsimit, Ramë Buja, tha për Radio Kosovën, se është pritur që të bëhet nënshkrimi i kontratës së përgjithshme kolektive ndërmjet Qeverisë Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, Odës Ekonomike dhe Aleancës Kosovare të Bizneseve, në mënyrë që të shikohet nëse është e nevojshme të nënshkruhet kontrata kolektive për sektorin e arsimit.
Ajo bëri të ditur se grupet punuese të Ministrisë dhe Sindikatës së Arsimit, kanë bërë përafrimin e qëndrimeve për sferat të cilat nuk janë të përfshira në kontratën e përgjithshme kolektive.
“Tani janë çështjet sektoriale, problemet që në një formë apo tjetër e tangojnë arsimin. Ka potencime për ato dispozita që në një formë apo tjetër kanë lënë alternativa te menaxhmentet nëpër shkolla apo drejtori të arsimit. Me kontratë kolektive është bërë një prerje, ato alternativa përmes kontratës behën obligative”, tha ajo.
Kontrata e përgjithshme kolektive do të fillojë të zbatohet nga 1 janari i vitit 2015. Që nga viti 2005, kur edhe ka skaduar afati i kontratës së vjetër kolektive, punëtorët e arsimit kanë vazhduar të punojnë me po atë kontratë. /RTK/


















































