LAJMI I FUNDIT:

Java e konsultimeve të Presidentit Thaçi me partitë politike, pas dorëheqjes së Haradinajt

Java e konsultimeve të Presidentit Thaçi me partitë politike, pas dorëheqjes së Haradinajt

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, këtë javë do të nis konsultimet me partitë politike për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë që çojnë në tejkalimin e situatës së krijuar nga dorëheqja e kryeministrit.

Në njoftimin për media nga zyra e Presidentit, të bërë të enjten, thuhej se ai do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në pajtim me kompetencat e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Mirëpo, disa nga partitë politike në këto konsultime thonë se do të marrin pjesë vetëm sa për të caktuar datën e zgjedhjeve.

Partitë e koalicionit vlerësojnë se duhet të jenë pjesë e këtyre konsultimeve me Presidentin Thaçi që të arrihet një pajtueshmëri e plotë mes tyre për të dalë nga situata politike në të cilën gjendet vendi.

Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se në momentin që ftohen nga Thaçi, do të marrin pjesë.

“Ende nuk e kemi pranuar ftesën nga presidenti Thaçi për konsultimet që parashihen sipas nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës dhe në momentin që do të ftohemi, do të marrim pjesë”, ka thënë ai të premten.

Ndërsa me kushtin që vetëm të caktohet data e zgjedhjeve në këto konsultime, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), thekson se do të jetë pjesë e tyre – në të kundërtën kjo parti nuk do të merr pjesë.

“Ne mund të jemi pjesë e konsultave për shpalljen e zgjedhjeve brenda afatit ligjor, dhe jo diçka tjetër. Situata është e qartë. Të gjitha partitë politike po thonë se janë për zgjedhje të menjëhershme, dhe prandaj nuk ka se për çka tjetër të bisedohet, përpos për datën e shpalljes së zgjedhjeve të reja”, ka thënë Muharrem Nitaj nga AAK.

Kurse përfaqësues të Nisma-s Socialdemokrate theksojnë se duhet të mos i ikin përgjegjësisë që kanë në raport me zhvillimet në vend.

Anëtari i kryesisë së Nisma-s Socialdemokrate, Fazli Hoxha, ka thënë për Telegrafin se kjo parti do t’i përgjigjet ftesës së Presidentit, që sa më parë të arrihet një pajtim mes forcave politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja parlamentare.

“Dorëheqja e kryeministrit na ka sjellë në një situatë që zgjedhjet e reja janë të pashmangshme, që sovrani të vendosë për përbërjen e re të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili më pas do ta zgjedhë qeverinë e re. Nisma Socialdemokrate asnjëherë nuk i ikën përgjegjësisë së saj si parti parlamentare në raport me zhvillimet që e presin vendin. Edhe në këtë rast, Nisma Socialdemokrate do t’i përgjigjet ftesës së presidentit të Republikës për konsulta me partitë politike, që sa më parë të arrihet një pajtim mes forcave politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja parlamentare”, ka thënë ai.

Edhe përfaqësues të AKR-së, theksojnë se kjo parti do të jetë pjesë e takimit me Presidentin në mënyrë që qëndrimet e tyre të shërbejnë për të dalë nga situata e krijuar.

“Po do të marim pjesë në takimin me Presidentin. Duke marrë parasyshë situatën aktuale, është obligim i të gjithë neve që t’i përgjigjemi ftesës së Presidentit, t’i paraqesim qëndrimet tona, të cilat do të shërbejnë për të dalë nga kjo situatë. Kur është interesi i vendit në pyetje, duhet të jemi të gjithë unik dhe të përgjegjshëm, duke dhënë kontribut për të arritur te zgjidhja më e mirë për vendin”, ka thënë Vesel Makolli.

Në anën tjetër të vendosura vetëm për të caktuar datën e zgjedhjeve në konsultimet me Presidentin, janë partitë opozitare.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë për Telegrafin se do t’i përgjigjen një ftese të Presidentit në përputhje me kompetencat kushtetuese që ka.

“Presidenti duhet të veprojë në përputhje me Kushtetutën. Duhet të ftohen partitë politike për konsultime për të caktuar datën e zgjedhjeve. Ne do t’i përgjigjemi një ftese që bëhet në përputhje me kompetencat kushtetuese që ka Presidenti”, është shprehur ai.

E, Lëvizja Vetëvendosje nuk dëshiron që në këtë takim të jetë pjesë e bisedimeve opsioni për Qeveri teknike.

Albulena Haxhiu nga LVV në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se në takim do të marrin pjesë vetëm për të caktuar datën e zgjedhjeve.

“Ne kërkojmë zgjedhje të jashtëzakonshme sa më parë. Nuk marrim pjesë në takime për ndonjë mandatar apo ndonjë qeveri teknike. I vetmi takim që marrim pjesë është takimi për caktimin e datës së zgjedhjeve”, ka theksuar ajo.

Ndërsa PSD vlerëson se njëherë duhet ta presin ftesën për ta parë qëllimin e saj.

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, në një deklaratë dhënë Telegrafit, ka thënë se pasi të pranohet ftesa do të shqyrtohet nga organet.

“PSD nuk ka pranuar ftesë, rrjedhimisht s’mund të flasim pa i pasur informacionet e sakta mbi qëllimin dhe arsyet e thirrjes se takimit. Kur të kemi ftesen mbetet të shqyrtohet në organet e PSD-së”, ka thënë ajo.

Po ashtu edhe partia e sapoformuar, Partia Euroatlantike e Kosovës, pretendon të jetë pjesë e diskutimeve me Presidentin.

Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, Mialim Zeka, nga kjo parti, i cili ka thënë se do të marrë pjesë në çdo takim që zgjidhë ngërçin politikë, siç e ka quajtur ai.

“Do të marr pjesë pa asnjë problem në konsultimet me Presidentin. Me sa unë kuptoj politikë, unë marrë pjesë në çdo takim që zgjidhë këtë ngërç politik, të cilin e ka shkaktuar pa asnjë arsye kryeministri i vendit”, ka thënë Zeka.

Kujtojmë se Ramush Haradinaj ditë më parë ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij si kryeministër i vendit.

Haradinaj ka bërë të ditur se këtë vendim e ka marrë pasi atij i ka ardhur ftesa nga Gjykata Speciale. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Dygjuhësia duhet të merret si avantazh, jo problematikë te fëmijët – Pervizaj flet për hulumtimet e fundit

Dygjuhësia duhet të merret si avantazh, jo problematikë te fëmijët – Pervizaj flet për hulumtimet e fundit

Elfije Boletini
Deklaratat për zgjedhje, Konjufca: Mazhoranca nuk ka vullnet që vendi të shkojë në zgjedhje përmes dorëheqjes së Qeverisë

Deklaratat për zgjedhje, Konjufca: Mazhoranca nuk ka vullnet që vendi të shkojë në zgjedhje përmes dorëheqjes së Qeverisë

Lajme
Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajme
IKShPK: Regjistrohen 8 raste të Kollës së mirë në Kosovë, prindërit t'i vaksinojnë fëmijët

IKShPK: Regjistrohen 8 raste të Kollës së mirë në Kosovë, prindërit t'i vaksinojnë fëmijët

Shëndetësi
RTK: Ambasadori Berishaj po intervistohet nga Prokuroria Speciale

RTK: Ambasadori Berishaj po intervistohet nga Prokuroria Speciale

Drejtësi
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori