LAJMI I FUNDIT:

Jasharaj i reagon ministrit Murati: U mundove të shkatërrosh sindikatat, përballu tash me drejtësinë

Jasharaj i reagon ministrit Murati: U mundove të shkatërrosh sindikatat, përballu tash me drejtësinë

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj përmes një reagimi publik drejtuar ministrit të Financave ka thënë se Hekuran Murati është munduar që të shkatërroj sindikatat.

Sipas Jasharjt, tash ministri Murati duhet të përballet me drejtësinë.


“Turp e turpi ju mbuloftë se unë erdha në SBASHK për të udhëhequr me këtë sindikatë që mbrojti arsimin shqip në vitet e historisë sonë nga furtunat e pushuesit me betimin e premtimin dhënë punëtorëve të arsimit se do të ruaj figurën e mësuesit dhe pishtarëve të dijes”, shkruan Jasharaj në reagimin e tij.

“Ti e di cilën përgjigje ta dha para ca muajve prokuroria lidhur me gënjeshtrën e shpifjen tënd për mjetet në SBASHK dhe unë nuk dola të krekosem para medieve se me ju nuk ndjej më arsye të flas e të ballafaqohem se jeni hiçi i hiçit, por lexova se tani ti je ai që po ftohesh para drejtësisë”, vijon ai.

Së paku pesë ministra dhe një zëvendësministër në Qeverinë Kurti po hetohen nga Task Forca
Lexo po ashtu Së paku pesë ministra dhe një zëvendësministër në Qeverinë Kurti po hetohen nga Task Forca

Ai shton se ky nuk do të jetë rasti i parë që Murati do të ftohet nga prokuroria.

“Ky nuk është rasti i parë që do të ftohesh se të kemi bërë tri kallëzime penale duke i besuar institucioneve të drejtësisë dhe e vërteta do të dal sheshit. Unë para se të nisem në rrugëtimin tim i jam betuar familjes, kolegeve e kolegeve që punuan më misionin e shenjtë të edukimit ët brezave dhe gjakut të dëshmorëve, që me emblemën e UÇK-së, i sollën lirinë këtij trualli dhe zërin shqip të ziles në shkollat e Kosovës se do të vazhdoj të jem i ndershëm, e ti kush je dhe kush do të jesh?”, përfundon ai.

Nga raportimet thuhet se Task Forca Anti-korrupsion në Policinë e Kosovës, aktualisht është duke hetuar së paku pesë ministra dhe një zëvendësministër të Qeverisë së Albin Kurtit.

Në këtë listë është edhe ministri Murati, i cili po hetohet në lidhje me rastin e dëmtimit të mësimdhënësve, të cilëve dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme ua kishte ndalur pagat gjatë kohës së grevës. /Telegrafi/