Jashanica pozitiv në testin anti-doping, rrezikon dënim të rëndë nga UEFA?

Sikur të mos mjaftonte furtuna e UEFA-s me kërkesën për përjashtim 10-vjeçar nga Evropa, tashmë vjen lajmi i hidhur për mbrojtësin, që mund të mungojë gjatë
Mbrojtësi i Skënderbeut, Bajram Jashanica, ka rezultuar pozitiv në kontrollet antidoping dhe do të mungojë për një kohë të gjatë. 27-vjeçari nga Prishtina, i cili ka luajtur 145 ndeshje me fanellën e klubit korçar, është zbuluar pozitiv pas kontrolleve të kryera në shtator, pas ndeshjes Skënderbeu - Young Boys në Ligën e Evropës.
Gazeta shqiptare Sport Ekspres mëson se tashmë në zyrat e klubit korçar ka mbërritur edhe e-maili zyrtar që njofton Skënderbeun, por edhe Federatën Shqiptare të Futbollit, në lidhje me substancën e ndaluar që është përdorur nga Jashanica, i cili pezullohet për dy vite.
Natyrisht, në raste të tilla nevojitet edhe testi B, por edhe aty rezultati ka qenë i njëjtë. Është një lajm i rëndë, si për vetë lojtarin, ashtu edhe për klubin, që e shihte Jashanicën si një ndër lojtarët me më shumë treg dhe mund ta kishte shitur që në janar.
Në dy pjesëmarrje në fazën e grupeve, Skënderbeu nuk kishte pasur asnjë rast pozitiv, deri tani, sepse nga UEFA ka ardhur njoftimi se Jashanica ka pasur një masë jashtë normales të substancës Prednisolut, ose Prednisolon.
Bëhet fjalë për një glukokortikoid (steroid) që jepet vetëm me recetën e mjekut. Është një substancë që përdoret për të ndihmuar në shërimin e inflamacioneve në zona të ndryshme të trupit, ndërkohë që përdoret edhe për kurimin e problemeve të ndryshme, si enjtja e goditjeve apo plagëve, alergji serioze, asmë, probleme me gjakun apo palcën kurrizore, probleme me shikimin, probleme lëkure e të tjera. Problemi është se kjo substancë është në listën e medikamenteve të ndaluara WADA, Agjencia Botërore Anti-Doping, ndaj pezullimi është i paevitueshëm.
Jashanica është në kulmin e karrierës dhe në moshën 27-vjeçare është bërë një titullar fiks edhe te Kosova, ku ka luajtur 4 ndeshje nga minuta e parë vjeshtën e shkuar.
Më herët këtë sezon Jashanica ka pasur probleme fizike dhe këtë sezon disa herë ka luajtur duke u sforcuar, ndaj ndoshta është nevojitur ndonjë mjekim për të përballuar dëmtimet. Ndërkaq, në këtë moment Jashanica është sërish i dëmtuar, pasi klubi ka informuar se mbrojtësi është dashur të operohet dhe do të mungojë rreth një muaj e gjysmë. Sido që të jetë, tashmë Jashanica është i detyruar të pushojë dhe të riaftësohet pa pasur presionin e kthimit në fushë.

























































