LAJMI I FUNDIT:

Japonia thotë se ka identifikuar një tjetër variant të COVID-19

Japonia thotë se ka identifikuar një tjetër variant të COVID-19

Instituti Kombëtar i Sëmundjeve Infektive (NIID) në Japoni tha se, autoritetet kanë gjetur një variant të ri të coronavirusit në katër pasagjerë që erdhën nga Brazili.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, varianti i ri ka ngjashmëri me llojet e gjetura në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Afrikë të Jugut.


Instituti tha se informacioni në lidhje me variantin e ri është i kufizuar në përbërjen e tij gjenetike dhe se është vështirë të përcaktohet menjëherë se sa infektues është ky lloj ose edhe efektivitetin e vaksinave aktuale kundër tij.

Në një deklaratë tjetër, Ministria e Shëndetësisë në Japoni tha se katër udhëtarë që mbërritën më 2 janar nga Brazili në aeroportin Haneda të Japonisë, u diagnostikuan më vonë me një variant të virusit.

Një mashkull në të 40-tat e tij, i cili ishte asimptomatik pas mbërritjes, u shtrua në spital derisa sistemi i tij i frymëmarrjes iu përkeqësua.

NIID ka informuar Organizatën Botërore të Shëndetësisë për llojin e ri, duke shtuar se instituti po heton nëse ky variant shkakton raste më të rënda. /Telegrafi/