LAJMI I FUNDIT:

Japonia probleme me inflacionin

Japonia probleme me inflacionin

Guvernatori i Bankës së Japonisë, Haruhiko Kuroda tha se do përpiqet të arrijë objektivin e inflacionit “hap pas hapi”, duke hedhur poshtë premtimin se do ta bëjë sa më shpejtë të jetë e mundur.

Duke pranuar se do të duhet më shumë kohë që inflacioni të shkojë në 2%, Kuroida tha se rreziqet globale kërkojnë më shumë vëmendje, ndërkohë që ekonomia kineze ngadalësohet dhe barrierat tregtare po cenojnë iniciativat e bizneseve.


Ai tha se Banka e Japonisë duhet të pranojë rritjen e kostos nga tejzgjatja e politikave lehtësuese monetare, ndërkohë që mbajtja për shumë vite e normave të interesit në zero mund të dëmtojë fitimet e firmave financiare dhe ndalojë huadhënien.

“Banka e Japonisë do të vazhdojë gradualisht arritjen e objektivit të çmimeve, ndërkohë që merr në konsideratë jo vetëm përfitimet e politikave lehtësuese monetare, por edhe kostot”, tha Kuroda.

Deri më tani, guvernatori kishte thënë se institucioni do të arrijë objektivin e inflacionit në 2% sa më shpejtë të jetë e mundur.

Ndryshimi në komunikim vë në dukje vështirësitë në rritjen e inflacionit, ndërkohë që shqetësimet për ngadalësimin global pritet të ndikojnë te eksportet e vendit dhe te inflacioni.

Pasiguritë mbi politikat e presidentit Donald Trump çuan indeksin e Japonisë, Nikkei, në rënien më të madhe në 20 muaj.

Dollari ra gjithashtu në nivelin më të ulët në 4 muaj kundër jenit, duke sjellë paralajmërime nga Banka e Japonisë, se valuta e fortë do të cenojë ekonominë e varur nga eksportet. /Telegrafi/