LAJMI I FUNDIT:

Japonia ndalon eksportin e veturave hibride, elektrike dhe atyre me motorë të mëdhenj në Rusi

Japonia ndalon eksportin e veturave hibride, elektrike dhe atyre me motorë të mëdhenj në Rusi

Japonia do të zgjerojë sanksionet e saja ndaj Rusisë, duke ndaluar kështu eksportin e materialeve që mund të përdorën ushtarakisht, duke përfshirë çelikun, produktet e plastikes dhe pjesët elektronike

Në këtë listë ndalimi gjithashtu gjendet një numër i llojeve të veturave, duke përfshirë të gjitha veturat hibride dhe ato elektrike, e gjithashtu edhe veturat me një kapacitet të motorit prej 1,900cc dhe me kapacitet edhe më të madh.


Të vendosura për t’u zbatuar më 9 gusht, raportet e fundit tregojnë se kufizimet më të gjera pasojnë lëvizje të ngjashme nga aleatët e Japonisë, shkruan Car Scoops, përcjell Telegrafi.

Në muajin maj, krerët e shteteve të G7 u takuan në samitin e Hiroshima-s, ku njëzëri u dakorduan që Rusisë t’ia ndalnin furnizimin e mjeteve të teknologjisë dhe pajisjeve të cilat potencialisht mund t’i nxisnin përpjekjet e luftës të këtij shteti.

Këto vendime vijnë pas më shumë se një viti kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

Ndërsa kompani si Toyota dhe Nissan e kanë ndalur prodhimin në Rusi, disa prodhues japonezë të veturave vazhdojnë të shesin makina në vend.

Sidoqoftë, në ato raste, veturat shpesh importohen paralelisht, ku shumë prej tyre prodhohen në Kinë – jo në Japoni – dhe shiten përmes programeve të veturave të përdorura. /Telegrafi/