LAJMI I FUNDIT:

Janushev dënohet me dy vite burg me kusht për blerjen e autobusëve dykatësh

Janushev dënohet me dy vite burg me kusht për blerjen e autobusëve dykatësh

Deputeti nga radhët e OBRM-PDUKM-së dhe ish-drejtori i Ndërmarrjes Transportuese Publik (NTP), Igor Janushev, sot është dënuar me dy vjet burg me kusht për prokurimin e autobusëve dykatësh, përkatësisht në rastin “Dizajn”.

Janushev nuk do ta vuajë dënimin nëse brenda pesë viteve nuk kryen vepër tjetër penale. Gjyqtari Osman Shabani e shpalli aktgjykimin në sallë të zbrazët, pasi nuk ishin prezent as të akuzuarit as prokurorja e këtij rasti, Lile Stefanova.


Dënimi me kusht u shqiptua pasi Kuvendi i votoi dje ndryshimet në Kodin Penal sipas të cilit është fshirë paragrafi për të cilin akuzohet Janushev.

Lidhur me këtë rast, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakievski dhe dy të akuzuarit e tjerë në rastin “Dizajn” vullnetarisht e pranuan fajin për veprën për të cilën ngarkoheshin dhe u shpallën fajtorë dhe u dënuan me dy vjet burgim me kusht, i cili nuk do të zbatohet nëse të pandehurit nuk kryejnë krim të ri në pesë vitet e ardhshme.

Para gjykatës, vetëm Janushev, i cili ishte anëtar i Komisionit që ka kryer blerjen, u deklarua i pafajshëm.

Sipas aktakuzës, të gjithë të akuzuarit kanë favorizuar kompaninë kineze që ka blerë autobusët për NTP-në dhe nuk ka ofruar garanci bankare dhe certifikatë cilësore siç kërkohet në dokumentacionin e tenderit. Përkundër faktit se oferta e një kompanie nga Bullgaria ishte më e ulët, Komisioni zgjodhi operatorin ekonomik nga Kina dhe i propozoi ish-ministrit Mile Janakieski që të lidhë kontratë me të./Telegrafi/