LAJMI I FUNDIT:

Ish-presidentja Jahjaga dhe Emiri i Shtetit të Katarit, flasin për krizën ekonomike si pasojë e pandemisë dhe luftës në Ukrainë

Ish-presidentja Jahjaga dhe Emiri i Shtetit të Katarit, flasin për krizën ekonomike si pasojë e pandemisë dhe luftës në Ukrainë

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është takuar me Emirin e Shtetit të Katarit, Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani, në Forumin Ekonomik që po mbahet atje.

Në një postim në Facebook, Jahjaga njoftoi se me Sheikh Tamim kanë biseduar për rëndësinë e forumeve të tilla, të cilat sipas saj, kanë për synim uljen e impaktit të krizave tek qytetarët, nevojën e bashkërendimit mes qeverive dhe bizneseve, si dhe për krijimin e mekanizmave për të ndihmuar shtetet të cilat kanë resurse të kufizuara.


“Pashmangshëm, temë e diskutimit ishte edhe Kosova dhe impakti që kriza ekonomike e shkaktuar si pasojë e pandemisë dhe luftës në Ukrainë ka pasur në ekonominë e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve”, ka shkruar ajo në Facebook.

“Po ashtu, biseduam edhe për thellimin e bashkëpunimit mes të dy vendeve në të gjitha fushat, si dhe për vazhdimin e ndihmës që Katari mund të jap për Kosovën”.

Tutje, Jahjaga ka thënë se Sheikh Tamim ruan një konsideratë të veçantë për Kosovën, dhe u shpreh i gatshëm për të vazhduar bashkëpunimin. /Telegrafi/