LAJMI I FUNDIT:

Jahjaga pas vdekjes së Ramush Tahirit: Na la një njeri i urtë, i sjellshëm dhe fisnik

Jahjaga pas vdekjes së Ramush Tahirit: Na la një njeri i urtë, i sjellshëm dhe fisnik
Atifete Jahjaga në periudhën si presidente e Kosovës (Foto: Ridvan Slviva/Telegrafi)

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë se me pikëllim ka pranuar lajmin për ndarjen nga jeta të ish këshilltarit të saj, Ramush Tahiri.

Jahjaga ka shkruar se me Ramush Tahirin ka kaluar batica e zbatica politike, transmeton Telegrafi.


“Me pikëllim pranova lajmin për ndarjen nga jeta të mikut dhe ish-këshilltarit e bashkëpunëtorit tim, Ramush Tahiri. Me Ramushin kaluam nëpër batica e zbatica politike gjatë kohës sa isha presidente e Republikës. E çmoja për maturinë e tij dhe besimin e palëkundur se mund të zgjidhen problemet edhe kur ato dukeshin të pazgjidhshme. Na la një njeri i urtë, i sjellshëm dhe fisnik!
Ngushëllime familjes dhe miqve”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.

Ndryshe, analisti politik Ramush Tahiri ka ndërruar jetë ditën e sotme, lajmin për vdekje e kanë dhënë miqtë e tij.

Ramush Tahiri ishte gazetar dhe kryeredaktor i gazetës “Rilindja”. Tahiri një periudhë ka qenë këshilltar i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga e cila ka shërbyer në këtë pozitë nga viti 2011 deri në vitin 2016, si dhe i Nexhat Dacit, derisa ka qenë kryetar i Parlamentit të Kosovës, në vitet 2001-2006.

Për shumë vite ai ka qenë pjesë e pjesëmarrës aktiv i jetës publike në Kosovë me diskutime, analiza dhe opinione për aktualitetin politik.

Ai pas vetës ka lënë gruan, profesoreshën universitare, Lindita Tahiri dhe dy djem. /Telegrafi/