LAJMI I FUNDIT:

J’Accuse…!

J’Accuse…!

Nga: Ag Apolloni

Mbrëmë e pashë filmin e ri të Roman Polanskit, “J’accuse” (“Akuzoj”). Titulli i filmit i referohet letrës së famshme të shkrimtarit Emil Zola, i cili nëpërmjet saj krijoi “aferën Drajfys”, e cila e riktheu në skenë të poshtëruarin dhe të dënuarin padrejtësisht Drajfys (Alfred Dreyfus), i cili u akuzua për “tradhti kombëtare”, se gjoja kishte përhapur informata sekrete tek ambasada gjermane në Paris.


Në fakt, akuza bazohej në falsifikim dokumentesh dhe këtë e zbulon oficeri Pikar (Georges Picquart), i cili ia bën me dije shërbimit të inteligjencës ushtarake, por atje i thonë ta heshtë këtë punë, ose, në të kundërtën, do ta shantazhonin. Ai, megjithatë, shpejton ta përhapë të vërtetën dhe takon disa intelektualë, përfshirë botuesin e gazetës “L’Aurore” dhe shkrimtarin Zola. Pasi ua shpalos atyre historinë e falsifikimit të rastit Drajfys, e mbyll duke iu drejtuar Zolasë: “Duhet treguar historia e vërtetë, që populli ta kuptojë. Si një oficer në detyrë, unë s’mund të them asgjë”. Zola ia kthen: “Ti nuk mundesh. Por, unë mundem”.

Dhe, klimaksi i filmit vjen me djaloshin që shpërndan gazetën në ballinë të së cilës duket “J’accuse!” (letra e hapur e Zolasë drejtuar presidentit të shtetit), ku akuzohen të gjithë falsifikuesit dhe të korruptuarit që çuan në dënimin e Drajfysit. Ndërkohë, oficeri Pikar është arrestuar dhe e blen gazetën nga dritarja me grila e makinës së policisë; shpërthejnë protesta, thyhen xhama, digjen kopje të gazetës dhe libra të autorit të artikullit, turma thërret “Vdekje Emil Zolasë”. Pastaj, mbahen disa seanca gjyqësore. Në njërën prej tyre dënohet vetë Zola me një vit burgim dhe 3000 franga. Ushtria dhe gjykata janë aq të korruptuara sa bëjnë çmos që e vërteta të mos dalë në shesh. Në popull është e dukshme fryma antisemite, e cila, natyrisht, është pro dënimit të hebreut Drajfys i cili, në fund, siç dihet, e fiton rastin.

Ky film flet për shtetin e korruptuar, për popullin që nganjëherë e humb arsyen, për gazetarinë që i shërben politikës së korruptuar dhe për gazetarinë që i shërben të vërtetës, për arsyen që ngadhënjen mbi ndjenjat antisemite të një oficeri, për pafajësinë e një viktime që thërret për ndërgjegjësimin e kombit, dhe për rolin e shkrimtarit në situatat më të ndjeshme, kur nuk mjafton vullneti dhe argumenti (Picquart), as hapësirë dhe mjeti (gazeta), por duhet edhe stili dhe guximi (Zola).

Prandaj, filmi (në origjinal) quhet sipas letrës së shkrimtarit të shquar francez (në anglisht titulli është kot: “An Officer and a Spy”/Oficeri dhe spiuni) dhe kulmin e arrin me botimin e letrës pas së cilës (në realitet, jo në film) Zolanë e përkrahën edhe shkrimtarë të tjerë, si: Anatole France, Stéphane Mallarmé, Jules Renard dhe Oscar Ëilde, i cili personalisht ia dha Zolasë disa dokumente sekrete që tregonin se fajtori ishte Esterazi (Ferdinand Esterhazy), jo Drajfysi. Fundi i aferës Drajfys shënoi kthesë kombëtare në Francë, ndërgjegjen e fjetur të së cilës e zgjoi Zola me “J’accuse”.

Në këtë film, regjisori Roman Polanski, përveçqë e ka përmbushur një dëshirë të kahershme të tij për të bërë film për këtë rast tronditës, ka krijuar edhe skena sipas modelit të pikturës impresioniste (à la Auguste Renoir), relacione me Mesjetën (errësira, objekti kishtar, djegia e librave, demonizimi i të pafajshimit etj.) dhe me skena “transilvanike” (si ajo me stuhi, kur nga “Ishulli i Djallit” kthehet në gjykatë Drajfysi “i demonizuar”). Në film luajnë edhe dy aktorë të njohur francezë: Jean Dujardin (i njohur për rolin në “The Artist”) dhe Emmanuelle Seigner (e njohur për rolin në “Bitter Moon” etj.).

Ka më shumë se njëqind vjet që “J’accuse” është kthyer në shprehje protestuese (dhe programatike) në çdo vend ku fryn era e ndryshimit. Prandaj, shikojeni “J’accuse”, për ta kuptuar se çka mund të bëjë një tekst i shkruar me stil! J’adore ce film.

Po e përfundoj me disa fjalë që i ka thënë shkrimtari Anatole France në varrimin e Emil Zolasë: “Ai e nderoi vendin e tij dhe botën me një veprim të madh dhe të shkëlqyeshëm. Fati dhe zemra e tij e dhanë maksimumin. Ai ishte një moment i ndërgjegjes njerëzore.”