LAJMI I FUNDIT:

BE-ja do të sigurojë një instrument të ri financiar për raste emergjence kundër krizave ekonomike

BE-ja do të sigurojë një instrument të ri financiar për raste emergjence kundër krizave ekonomike

Vështirësitë e furnizimeve me maska, pajisje mbrojtëse e respiratorë gjatë pandemisë treguan se Bashkimi Evropian nuk është e përgatitur ndaj krizave. Me një instrument të ri për emergjenca, BE-ja synon tani të jetë i përgatitur.

Projektligji i paraqitur në Bruksel ka për qëllim të shmangë mungesat me produkte të rëndësishme strategjike.


Prodhuesit mund të detyrohen, që të furnizojnë me prioritet Evropën dhe jo SHBA-në apo vendet aziatike. BE-ja nuk duhet të presë më me muaj për t’u furnizuar me mallra kyçe ashtu siç ndodhi në rastin e pandemisë COVID-19.

Kompetenca të posaçme kundrejt industrisë

“Instrumenti i Emergjencave për Tregun e Brendshëm (Single Market Emergency Instrument – SMEI) duhet ta pajisë Evropën për ‘raste ekstreme'”, theksoi komisari për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton.

Në kohë krizash Komisioni i BE-së do të aktivizojë një “modus mbikëqyrjeje”.

Në një rast të tillë vendet anëtare mund të shpallin “emergjencën”, gjë që i jep Brukselit kompetenca të posaçme kundrejt industrisë. Kritikën e ngritur në adresë të Komisionit për një “ekonomi plani”, Komisioni e hodhi poshtë.

“Propozimet janë ‘pikërisht e kundërta e kësaj’, sepse ato kanë për qëllim të kujdesen për një treg funksionues”, tha komisarja e BE-së për Konkurrencën, Margrethe Vestager.

Komisioni me këtë do të parandalojë edhe një përsëritje të ndërprerjes së rrjetit të furnizimeve. Mbylljet e kufijve, si në Gjermani dhe Francë në fillim të pandemisë, janë “helm për tregun e brendshëm”.

Njëkohësisht Brukseli do të ketë mundësinë të blejë më lehtë për të gjithë BE-në mallra të caktuara në tregun botëror. Një shembull për këtë është blerja e vaksinave ndaj COVID-19.

Ky Projektligj duhet të miratohet nga Parlamenti i BE-së dhe vendet anëtare. Breton u shpreh me besim, se ligji i ri mund të hyjë në fuqi vitin e ardhëm pikërisht në 30 vjetorin e ekzistencës së tregut të brendshëm të BE-së. /Deutsche Welle/