Komisioni Evropian ka publikuar një listë të produkteve amerikane mbi të cilat mund të merren masa kundër, pasi administrata e presidentit, Donald Trump në të mërkurën e kaluar ka vendosur tarifa globale prej 25 për qind për çelikun dhe aluminin.

Lista që ka 99 faqe, kryesisht përfshin mishin, pulën, fruta, perime dhe pijet alkoolike, por përfshin gjithashtu çamçakëz, nikotinë për cigare elektronike, plastikë dhe rroba për natyrë.


Disa artikuj në listë duken si një goditje e drejtpërdrejt ndaj stilit të jetesës amerikane - përfshirë veshjet për aktivitetet në natyrë, çadrat, vegla për punët e punëtorive dhe pajisje shtëpiake. Përveç kësaj, ka edhe pajisje industriale të rënda si makineri ndërtimi, makinë për pastrimin e borës dhe motoçikleta, shkruan reuters.

Këto lista zakonisht krijohen për të shkaktuar dëm ekonomik shteteve federale nga të cilat vijnë senatorët republikanë që mund të ushtrojnë presion mbi Trumpin për të hequr dorë nga lufta tregtare. Burokratët tregtarë, që zakonisht janë seriozë në punën e tyre, shpesh pranojnë se përgatitja e këtyre listave është pjesa më argëtuese e punës së tyre.

Komisioni shpalli më herët të mërkurën një hakmarrje që mbulon eksporte me vlerë 26 miliardë euro nga Bashkimi Evropian, duke e tejkaluar shumë përplasjen tregtare të mandatit të parë të Trumpit.

Nëse nuk arrihet një marrëveshje, nga 1 prilli, BE do të vendosë sërish tarifa si përgjigje ndaj 8 miliardë eurove të tarifave amerikane – përfshirë produkte të markave ikonë amerikane si motoçikletat Harley-Davidson, bourbonin dhe xhinset. Pjesa tjetër e masave do të pasojë në mes të prillit për të përfshirë 18 miliardë euro të tjera tarifash të reja amerikane, me miratimin e shteteve anëtare të BE.

Komisioni Evropian ka nisur gjithashtu një anketë për të mbledhur mendimet e palëve të prekura, dhe afati për dërgimin e komenteve është 26 marsi. /Telegrafi/