LAJMI I FUNDIT:

Ja kush i uroi për 7 mars arsimtarët e Maqedonisë

Ja kush i uroi për 7 mars arsimtarët e Maqedonisë

Urimet për 7 mars për arsimtarët e Maqedonisë kanë qenë të shumta, nga zyrtar shtetëror, nga kryetar partie dhe subjekte tjera, njofton Telegrafi.

Telegrafi Maqedoni i mbledh krejt urimet për 7 marsin me një vend. Urimi i parë ka qenë nga partia e parë shqiptare në Maqedoni, nga Partia për Prosperitet Demokratik. ”Partia për Prosperitet Demokratik mësueseve dhe mësuesëve, arsimtarëve dhe arsimtareve dhe arsimtarëve, profesoreshave dhe profesorëve, të gjithë atyre që transmetojnë dijen dhe shkollojnë gjenerata ua uron 7 marsin-ditën e mësuesit.PPD me keqardhje konstaton se fatkeqësisht, sot e kësaj dite, ne pasardhësit e tyre nuk arritëm të krijojmë shkollë shqipe; abetaren e bëmë libër leximi, historinë e civilizimit shqiptar e kemi zavendësuar me mësimin e vlerave kulturore të huaja, cilësinë e mësimit e kemi shndërruar në pazar letrash tl pavlera-payar diplomash.” thuhet në mes tjerash në urimin e PPD-së.


Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi në urimin e tij për 7 marsin shkruan ”Në këtë ditë me respekt të veçantë e kujtojmë kontributin e jashtëzakonshëm të të gjithë mësimdhënësve tanë, vepra e të cilëve ka sjellë dritën e arsimit dhe edukimit në shtëpitë tona. Shtylla kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm të një shoqërie është fuqizimi i dijes. Është e pakontestueshme se arsimi, kultura dhe gjuha janë shpirti dhe mburoja e një kombi. Më lejoni që për nderë të 7 Marsit – ditës së arsimit shqip, në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare, t’ju shpreh urimet dhe përgëzimet më të sinqerta arsimtarëve, pedagogëve dhe profesorëve shqiptarë.” shkruan në mes tjerash Menduh Thaçi nga PDSH.

Ali Ahmeti nga Bashkimi Demokratik për Integrim shkruan ”Mënyra më e mirë për të uruar më të merituarit tanë, mësuesit, është puna e përditshme për ndërtim, renovim si dhe hapje të çerdheve, shkollave të reja fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe, themelimit të Universitetit Shqiptar në Shkup “Nënë Tereza”, ndërtimit të kampusit universitar në Shkup, rritjes së buxhetit të Universitetit të Tetovës bashkë me hapjen e dy fakulteteve të reja dhe ndërtimit të konviktit studentor dhe kompleksit sportiv, finansimit të Universitetit të Evropës Juglindore, përkthimet e titujve shkencor botëror në gjuhën shqipe, bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Kosovën, mbështetja për medresenë dhe fakultetin e shkencave islame, ndarja e qindra vendimeve për mësues në të gjitha nivelet si dhe shumë e shumë proekte tjera që kanë për qëllim krijimin e kushteve më të mira për punë dhe për edukim të brezave. Arsimi mbetet prioritet i yni, ndërsa përkushtimi jonë përveç në krijimin e kushteve për punë, do të vijoj që të përqëndrohet edhe në cilësinë e edukimit dhe arsimit që nga çerdhet gjer tek universitetet. Gëzuar mësimdhënës këtë festë të shtrenjtë për të gjithë ne.” përfundon Ali Ahmeti duke përmendur edhe arritjet e BDI-së në pushtet në lëminë e arsimit shqip në Maqedoni.

Kryetari i LR-PDSH-së Ziadin Sela me një postim në Facebook ka uruar mësuesit për 7 Marsin ”Mësuesit e mirë spjegojnë. Mësuesit superior demonstrojn. Mesuesit e mëdhenj inspirojnë. Gëzuar festën mësues të dashur.” shkruan Sela në Facebook.

Nga UEJL bashkë me urimin njoftojnë profesorët dhe studentët se për këtë ditë do të organizojnë një manifestim. Në urimin e tyre thuhet ”Data 7 mars 1887, e ngriti në piedestal traditën e popullit tonë, duke çmuar kështu rolin e madh të punonjësve të arsimit dhe të edukimit të brezit të ri drejt një zhvillimi të gjithanshëm arsimor dhe kulturor të shoqërisë sonë. Me këtë rast, sot (7 mars 2016), Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) shënon 7 Marsin – Ditën e Shkollës Shqipe. Manifestimi do të mbahet me fillim në orën 13:00, në amfiteatrin “Arbër Xhaferi” (LH4).” shkruajnë nga UEJL në Facebook.

Rektori i Universitetit të Tetovës me një telegram urimi shkruan ”7 Marsi, na përkujton figurën e nderuar të mësuesit kombëtar, përpjekjen titanike më vigane të kombit tonë për të ruajtur identitetin kombëtar, si dhe për t’u bërë ballë synimeve grabitqare dhe asimiluese të armiqve tanë të përbetuar. Universiteti ynë, çdo vit e shënon këtë datë historike, si ditë e ndritur nga e kaluara jonë e lavdishme, si dhe një motiv nxitës për punën që kryejnë punonjësit tanë të arsimit dhe shkencës.
Mësuesve tanë të nderuar dhe të gjithë punonjësve të arsimit ua uroj festën e 7 Marsit, me dëshirat më të mira për suksese të reja dhe arritje në sferën e arsimit në gjuhën amtare.” përfundon urimi i rektorit të UT-së, Vullnet Ahmeti.

Kryetari i komunës së Gostivarit gjithashtu ka shkruar telegram urimi drejtuar arsimtarëve ku thuhet ”Të ushtrosh detyrën e mësimdhënësit, një profesion kaq të shenjtë nuk është vetëm privilegj por është edhe një përgjegjësi e madhe para kombit që përfaqëson. Nga duart tuaja janë kalitur bijtë dhe bijat tona më të mira që ishin shpirti dhe mëndja e popullit tonë. Sot, përsëri Ju keni në dorë privilegjin dhe përgjegjësinë për të ndërtuar një gjeneratë të ditur, të përgjegjshme dhe profesionale e cila do t’ju paraprijë proceseve shoqërore, kombëtare dhe do të jetë e aftë për të ndërtuar të ardhmen për brezat që do të vijnë. Duke u përkulur para sakrificës dhe punës së palodhshme të të gjithë mësimdhënësve ndër breza, Ju uroj 7 Marsin, këtë ditë të shenjtë dhe madhështore për arsimin në gjuhën Shqipe.” thuhet në telegramin e urimit të Nevzat Bejtës./Telegrafi/