LAJMI I FUNDIT:

BE-ja dëshiron të thjeshtojë lejet e punës për punëtorët e kualifikuar

BE-ja dëshiron të thjeshtojë lejet e punës për punëtorët e kualifikuar

Komisioni Evropian ka prezantuar një pako për të lehtësuar emigracionin e ligjshëm, duke propozuar, ndër të tjera, thjeshtimin e rregullave të qëndrimit dhe lejeve të punës për punëtorët e kualifikuar.

Sipas KE-së, kjo pako ka të bëjë me ofrimin e rrugëve ligjore për ata që mund të vijnë të punojnë në vendet e Bashkimit Evropian.


“Trajtimi i emigracionit nuk ka të bëjë vetëm me kontrollet kufitare, procedurat e azilit dhe kthimin, por edhe me ofrimin e rrugëve ligjore për ata që mund të vijnë të jetojnë dhe të punojnë te ne ligjërisht”, tha nënkryetari i KE-së, Margaritis Schinas.

Ai theksoi se grupi i ri i propozimeve nga organi ekzekutiv i BE-së është një kombinim fitues për Unionin, i cili përballet me një “mungesë të madhe” të fuqisë punëtore të kualifikuar, si dhe për ata njerëz që “dëshirojnë të migrojnë për një jetë dhe kushte më të mira”.

“Ne nuk mund t’ia dalim pa emigrimin e punës”, tha ai, duke shtuar se mundësimi i emigracionit legal është gjithashtu një mënyrë për të luftuar rrjetet kriminale të kontrabandistëve të qenieve njerëzore.

Paketa përmban ndryshime ligjore që do t’i lejojnë aplikantët të aplikojnë për një leje qëndrimi dhe pune të kombinuar në vend të dy procedurave të veçanta. Drafti do të lejojë gjithashtu aplikime si nga vendet e BE-së ashtu edhe ato jashtë bllokut.

Komisioni Evropian synon gjithashtu të krijojë një platformë të quajtur “EU Talent Pool”, e cila do të mundësojë lidhjen e vendeve të BE-së me punëkërkuesit nga vendet që nuk janë anëtare të Unionit. /Telegrafi/