LAJMI I FUNDIT:

Izraeli konfiskon llogaritë kripto për të cilat pretendon se u përkasin Hamasit dhe ISIS-it

Izraeli konfiskon llogaritë kripto për të cilat pretendon se u përkasin Hamasit dhe ISIS-it

Qeveria izraelite po ndërmerr masa kundër llogarive të kriptos që i ka konsideruar të dyshimta, duke mbyllur dhjetëra në një nga platformat më të mëdha për monedhën digjitale.

Byroja Kombëtare e Izraelit për Financimin e Kundër Terrorit (NBCTF) ka sekuestruar rreth 190 llogari në Binance, një platformë shkëmbimi kriptomonedhash, për lidhje të dyshuara me organizatën palestineze Hamas, sipas një raporti nga Reuters bazuar në dokumentet e publikuara nga autoritetet anti-terror të vendit. Izraeli gjithashtu pretendoi se dy nga llogaritë i përkisnin grupit ekstremist ISIS.


Autoritetet izraelite njoftuan kohët e fundit se ata konfiskuan mbi 120 mijë euro (500 mijë shekelë izraelitë) në monedha digjitale nga llogaritë që ajo pretendon se i përkasin “kompanive të këmbimit valutor në shërbim të Hamasit”, shkruan Gizmodo, përcjell Telegrafi.

Sipas ligjit izraelit, ministria ka të drejtë të konfiskojë pronën që mendon se mund të jetë e lidhur me aktivitetet terroriste.

Në një nga dokumentet thuhet se Ministria e Jashtme izraelite e konsideroi këtë të nevojshme për të ” penguar veprimtarinë e organizatës terroriste të Shtetit Islamik (ISIS) dhe për të dëmtuar aftësinë e saj për të çuar përpara qëllimet e saj”.

Firma e kriptove Binance iu përgjigj raportit të Reuters, duke pretenduar se organizata e lajmeve “po linte jashtë fakte kritike për t’iu përshtatur narrativës së tyre”.

Në deklaratën e saj, Binance pretendoi se kishte punuar ngushtë me autoritetet kundër terrorizmit për të mbështetur hetimet e tyre dhe për të sekuestruar llogaritë e supozuara të dyshimta.

Kompania deklaroi gjithashtu se politikat e saj përputhen me “kërkesat kundër pastrimit të parave dhe kundër financimit të terrorizmit”.

Binance nuk dëshiron të lidhet me grupet e përmendura në raportin e Reuters, duke sqaruar se “akterët e këqij nuk regjistrojnë llogaritë nën emrat e ndërmarrjeve të tyre kriminale”. Prandaj, kompania nuk do ta dinte se kujt i përkisnin llogaritë. /Telegrafi/