Ivanov shpreh keqardhje

“Kryetari i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov është thellë i përkushtuar për kultivimin e marrëdhënieve të mira dypalëshe me fqinjët e Republikës së Maqedonisë, si dhe për zhvillimin e bashkëpunimit rajonal mes shteteve të Ballkanit”, njoftoi Kabineti i kryetarit të Maqedonisë.
Presidenti i Maqedonisë beson se marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Kosovës kanë potencial të madh dhe do të intensifikohen dhe thellohen në të ardhmen e afërt.
“Presidenti Ivanov është thellë i bindur se marrëdhëniet dypalëshe me fqinjët të vendosura mbi parimet e barazisë dhe demokracisë janë ardhmëri e qytetarëve të Maqedonisë dhe qytetarëve të Ballkanit. Për këtë arsye udhëheqësit e Ballkanit kanë përgjegjësi të madhe për të punuar për tejkalimin e mosmarrëveshjeve eventuale apo mosbesimit të trashëguar me qëllim që të sigurohet ardhmëri e përparuar e qytetarëve të saj”, thuhet në një komunikatë të Presidencës maqedonase.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka anuluar vizitën në Maqedoni, të paraparë për 28 maj, për shkak se pala maqedonase e ndryshoi karakterin e vizitës zyrtare.
“Meqenëse pala maqedonase e ndryshoi karakterin e vizitës zyrtare, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu e anuloi vizitën në Republikën e Maqedonisë, të planifikuar për datën 28 maj 2009”, thuhet në një njoftim të Presidencës së Kosovës. /INA/Telegrafi/













































