LAJMI I FUNDIT:

Istogu në pulla postare të Kosovës

Istogu në pulla postare të Kosovës

Qyteti i Istogut është bërë pjesë e thesarit të pullave postare të Filatelisë së Postës së Kosovës.

Istogu është i njohur edhe me emërtimin Burimi. Ndodhet në regjionin e Pejës, në veriperëndim të Kosovës. Është një qytet që ka ruajtur dhe synon të ruajë trashëgiminë e tij multikulturore.


Komuna e Istogut ka 46 zona kadastrale me një sipërfaqe prej 453.84 km², me 51 fshatra dhe me dy qendra ndërurbane: Gurrakocin dhe Banjën.

Ka një histori të lashtë, me gjurmë të qytetërimeve të hershme dhe objekteve arkeologjike. Është i njohur për trashëgiminë kulturore dhe historike, ku bëjnë pjesë edhe aktivitetet tradicionale, festivalet kulturore dhe manifestimet tjera dedikuar ruajtjes së trashëgimisë.

Istogu radhitet ndër vendet më të preferuara në Kosovë për t’u vizituar nga turistë të shumtë vendorë dhe të huaj. Peizazhet e tij tani shfaqen edhe në pulla postare, të cilat munden t’i blejnë koleksionistët, qytetarët dhe bizneset për t’i vendosur në zarfet e tyre që do të dërgohen brenda dhe jashtë vendit.

Posta e Kosovës ka njoftuar se përmes imazheve të pullave postare, do të vazhdojë të prezantojë dhe të promovojë në gjithë botën vlerat dhe bukuritë natyrore që ka shteti i Kosovës. /Telegrafi/