Portieri i Kombëtares së Kosovës, Visar Bekaj, ka njoftuar largimin nga Hatayspor pas dy vite e gjysmë qëndrimi në klubin turk.

Përmes një postimi emocionues, ai falënderoi klubin, stafin dhe tifozët për mbështetjen gjatë kësaj periudhe.


“Faleminderit Hatayspor për dy vite e gjysmë! Ishte nder të luaja për këtë klub dhe të ndaja fushën me shokë të mrekullueshëm. Falënderim i veçantë për tifozët dhe stafin teknik për përkrahjen. I uroj klubit çdo të mirë në të ardhmen”, shkroi Bekaj.


Bekaj iu bashkua Hataysporit pas paraqitjeve të shkëlqyera me Tiranën, kur në krye të klubit turk ishte trajneri Volkan Demirel, i cili ka qenë portier në të shkuarën, ndërsa e vlerësonte Bekajn tej mase.

Hatayspor ka rënë nga elita dhe duket rrugës të bie edhe nga Liga e Parë, pasi ka vetëm 4 pikë pas 15 ndeshjes, ndërsa probleme financiare janë evidente në klub.

Bekaj pritet ta vazhdojë karrierën në Turqi, ku ka oferta nga klubet elitare.

Në Kosovë, ai ka mbrojtur portën e Prishtinës dhe Ramiz Sadikut, duke u konsideruar një nga portierët më të sigurt të gjeneratës së tij.

Portieri 28-vjeçar mbetet një pjesë e rëndësishme e Kombëtares së Kosovës tash e disa vite. /Telegrafi/

telegrafi sport app