Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shpjeguar pse NATO nuk vendosi një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainën në fillim të pushtimit të plotë të Rusisë në vitin 2022.

Në kujtimet e tij, ish-shefi i NATO-s kujton "momentin e dhimbshëm" në shkurt 2022, kur ai hodhi poshtë kërkesën e presidentit Volodymyr Zelensky për të futur një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainën.


Stoltenberg tha se kishte frikë se biseda e tyre mund të kishte qenë telefonata e fundit e presidentit ukrainas, pasi Perëndimi kishte frikë për jetën e tij, transmeton Telegrafi.

"Ai më telefonoi nga një bunker në Kiev me tanke ruse pak më sipër rrugës. Dhe tha: 'E pranoj që nuk po dërgoni trupa tokësore të NATO-s, megjithëse nuk jam dakord. Por ju lutem mbyllni hapësirën ajrore. Parandaloni aeroplanët, dronët dhe helikopterët rusë të fluturojnë dhe të na sulmojnë'", shtoi ai.

Stoltenberg kujtoi se NATO kishte mbyllur hapësirën ajrore mbi disa vende për të mbrojtur civilët në të kaluarën - për shembull, mbi Bosnjë dhe Hercegovinë dhe mbi Irakun e veriut, ku ishte e nevojshme të mbroheshin kurdët.

Por në përgjigje të kërkesës së Zelensky, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ,tha jo.

Ai shpjegoi se mbyllja e hapësirës ajrore mbi Ukrainën do të kishte kërkuar që NATO të shkatërronte sistemet ruse të mbrojtjes ajrore në Bjellorusi dhe Rusi, pasi avionët luftarakë perëndimorë nuk mund të kishin operuar në mënyrë të sigurt në Ukrainë nëse do të ishin në shënjestër të raketave ruse.

"Dhe nëse ka një aeroplan ose helikopter rus në ajër, ne duhet ta rrëzojmë atë dhe atëherë jemi në luftë të plotë midis NATO-s dhe Rusisë. Dhe ne nuk jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Siç e tha Biden, i cili ishte president i SHBA-së në atë kohë, ne nuk do të rrezikojmë një luftë të tretë botërore për Ukrainën", theksoi ai.

Stoltenberg shtoi se ndërprerja e asaj telefonate me Zelensky ishte "e dhimbshme", duke e ditur se jeta e presidentit ukrainas ishte në rrezik. /Telegrafi/