LAJMI I FUNDIT:

Ish-kryediplomatja: Duhet të pranohet marrëveshja, edhe nëse nuk vjen njohja nga Serbia

Ish-kryediplomatja: Duhet të pranohet marrëveshja, edhe nëse nuk vjen njohja nga Serbia

Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla në një intervistë në “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu ka thënë se dialogu tashmë ka hyrë në një fazë të re dhe sipas saj presioni është shtuar shumë.

“Trysnia është shtuar, gjuha është ashpërsuar. Tashmë palët në dialog po kërcënohen edhe me sanksione. Vuçiqi veçse ka konfirmuar këtë gjë, mirëpo ende nuk e dimë cilat janë kërcënimet ndaj Kosovës nëse refuzohet plani franko-gjerman”.

“Po shihet se ka një mostolerancë nga ndërkombëtarët sa i përket përafrimit të qëndrimeve për planin franko-gjerman”, ka deklaruar Haradinaj – Stublla.

Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla në një intervistë në “Përballje” në Telegrafi.com

Ish-kryediplomatja thotë se trysnia ndaj Kosovës është asimetrike pasi pos për Asociacionin, po kërkohen lëshime tjera edhe për Kishën.

Ajo thotë se një marrëveshje finale do kohë, por që sipas saj mund të ketë një marrëveshje që mund t’i hapë rrugës për marrëveshje finale.

“Për bashkësinë ndërkombëtare fuqia destabilizuese e Serbisë është shumë më e madhe duke pasur parasysh edhe lidhjet me Rusinë, sesa një destabilizim potencial që mund të shkaktonte Asociacioni. Ne normalisht se nuk do të duheshim të pajtohemi më këtë gjë, pasi kjo i shkon për shtati Serbisë”.

Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla në një intervistë në “Përballje” në Telegrafi.com/Foto: Ridvan Slivova

Asociacioni megjithatë sipas ish-ministres së Jashtme është ndër çështjet më polarizuese të shoqërisë dhe politikës në Kosovë.

“Është koha që të bashkohemi dhe t’i lëmë pazaret e së kaluarës. Kemi një trysni në derë dhe një Asociacion që nuk mund të kalohet aq lehtë”.

“Ne mund të blejmë kohë duke shtyrë Asociacionin, por avantazhi do t’i jepej Serbisë dhe do të mbeteshim në dialog permanent. Unë mendoj se duhet të ketë një marrëveshje edhe nëse nuk ekziston njohja defakto”, deklaroi tutje Haradinaj.

Megjithatë ajo thotë se Qeveria duhet të punojë sa më shumë për të arritur një draft shumë më të favorshëm se ky që është tani.

Ish-ministrja e jashtme e Kosovës në këtë intervistë ka folur edhe për rolin e opozitës në këto tema dhe diplomacinë e vendit, e cila sipas saj është inerte dhe e ngathtë. /Telegrafi/