Ish-asistenti i eurodeputetit të AfD-së spiunoi për Kinën

Një ish-asistent i një anëtari të Parlamentit Evropian të ekstremit të djathtë është shpallur fajtor për spiunazh për Kinën.
Jian G punonte në zyrën parlamentare të Maximilian Krah, një anëtar i partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD), i cili ishte në Parlamentin Evropian midis viteve 2019 dhe 2025.
Prokurorët thanë se G, emri i plotë i të cilit nuk është bërë i ditur në përputhje me ligjet e privatësisë të Gjermanisë, kishte punuar për një shërbim sekret kinez që nga viti 2002, transmeton Telegrafi.
Shtetasi gjerman ishte akuzuar se kishte punuar për një shërbim inteligjence kineze dhe se kishte përcjellë vazhdimisht informacione mbi negociatat dhe vendimet në Parlamentin e BE-së, ndërsa punonte për Krah midis shtatorit 2019 dhe prillit të vitit të kaluar. Ai u dënua me katër vjet e nëntë muaj burg.
Pekini ka mohuar akuzat për spiunazh në Evropë. Ministria e Jashtme e Kinës tha më parë se raportet për spiunazh ishin të gjitha "të ekzagjeruara, me qëllim njollosjen dhe shtypjen e Kinës".
Krah - një figurë kontraverse edhe brenda partisë së tij - aktualisht akuzohet për pastrim parash dhe ryshfet nga Kina gjatë kohës së tij në Parlamentin Evropian. Ai i hedh poshtë pretendimet dhe thotë se ato janë të motivuara politikisht.
Vitin e kaluar, AfD e ndaloi Krah të merrte pjesë në zgjedhjet e BE-së, disa javë pasi ai i tha një gazete italiane se jo të gjithë anëtarët e njësisë elitare SS të nazistëve ishin kriminelë lufte.
Megjithatë, ai fitoi një vend në parlamentin gjerman më herët këtë vit, si pjesë e fitoreve historike të partisë në Bundestag gjatë zgjedhjeve kombëtare. /Telegrafi/


















































