Irani do t'i ekzekutojë tetë gra me varje

Autoritetet në Iran po përgatiten të ekzekutojnë tetë gra të burgosura politike, të cilat janë dënuar me vdekje nën akuzën “luftë kundër Allahut”, një term që sistemi gjyqësor iranian e përdor për vepra të rënda të konsideruara kundër shtetit.
Sipas raportimeve, ekzekutimi i tyre me varje pritet të kryhet brenda ditëve të ardhshme.
Të dënuarat janë Bita Hemmati, Ghazal Ghalandari, Golnaz Naraghi, Venus Hossein Nejad, Panah Movahedi, Ensieh Nejati, Mahboubeh Shabani dhe Diana Taher Abadi. Dy prej tyre raportohet se janë adoleshente.
Sipas të njëjtave burime, të gjitha gratë janë shpallur fajtore për pjesëmarrje në protestat anti-regjim të zhvilluara në muajin janar.
Çështja ka shkaktuar shqetësime të mëdha ndërkombëtare lidhur me përdorimin e dënimit me vdekje ndaj protestuesve dhe trajtimin e të burgosurve politikë në vend.
Në këtë kontekst, presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar duke iu drejtuar udhëheqjes iraniane “për udhëheqësit iranianë, të cilët së shpejti do të jenë në negociata me përfaqësuesit e mi: do ta vlerësoja shumë lirimin e këtyre grave. Jam i sigurt se ata do ta respektojnë faktin që e keni bërë këtë. Ju lutem mos u bëni asnjë dëm! Do të ishte një fillim i shkëlqyer për negociatat tona!!!”
Reagimi i tij vjen në një moment tensionesh të larta diplomatike dhe debatesh të vazhdueshme për situatën e të drejtave të njeriut në Iran. /Telegrafi/




















































