LAJMI I FUNDIT:

Iraku ishte luftë e tmerrshme, por nuk mund ta arsyetojë dështimin tonë për t’u përballur me tiraninë që shohim sot

Iraku ishte luftë e tmerrshme, por nuk mund ta arsyetojë dështimin tonë për t’u përballur me tiraninë që shohim sot
John Kampfner, for Der Spiegel, shot in London, Coal Drops Yard, Kings Cross. 25th of August 2020

Nga: John Kampfner / The Guardian
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Në vitin 2013, deputetët ngushtë votuan për ta hedhur poshtë mocionin që do ta lejonte David Cameronin t’i autorizonte veprimet ushtarake në Siri. Një vit më parë, presidenti Obama paralajmëroi se vendosja e armëve kimike do të ishte “vija e kuqe”. Ato u përdorën; nuk bëri asgjë. Gjysmë milion njerëz kanë vdekur; janë kryer krimet e tmerrshme. Lufta vazhdon, por diktatori Bashar al-Assad, i mbështetur nga Rusia, kryesisht ia doli mbanë.


Në vitin 2014, disa muaj pasi ShBA-ja, Britania e Madhe dhe aleatët e tyre lanë duart nga ai vend, Vladimir Putini nisi pushtimin e tij të parë të Ukrainës (nëpërmjet duarve të zgjatura) dhe aneksoi Krimenë. Një linjë e drejtpërdrejtë mund të gjurmohet para këtyre ngjarjeve, dhe tutje deri te gjakderdhja aktuale: pushtimi i Irakut. Ajo luftë që mbush 20 vjet në muajin e ardhshëm, është tekst standard për dështimin diplomatik dhe ushtarak.

Një reprizë e shpejtë: pas sulmeve terroriste të shtatorit të vitit 2001, Tony Blair u bë krye-katalizatori i Shtëpisë së Bardhë. Ishte jashtëzakonisht i suksesshëm në mbledhjen e një koalicioni me ata që ishin të gatshëm ta pushtojnë Afganistanin (ishin ditët kur kryeministrat britanikë kishin ndikim). Megjithatë, brenda disa muajve George W Bush e kishte kthyer vëmendjen diku tjetër, duke njoftuar në Fjalimin e tij për Gjendjen e Unionit se do ta përndjek “boshtin e së keqes” në zemër të të cilit është Saddam Huseini.

Blair ishte i bindur se më nuk do të çorientohet nga amerikanët. Siç kam shkruar në Luftërat e Blairit, që në prill të vitit 2002, në fermën e presidentit në Krauford të Teksasit, ai i tha Bushit se do të vazhdojë me të, çfarëdo që të ndodhë. Pjesa tjetër, siç thuhet, janë dosjet e dyshimta, këshillat e rreme ligjore, armët e pakapshme të shkatërrimit në masë dhe pushtimi katastrofik. Të gjitha hulumtimet e ndryshme publike, që pasuan, e kanë vërtetuar këtë zinxhir ngjarjesh.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme të miratuara, pas Irakut, ishte kërkesa – e shtyrë para nga Gordon Brown – që kryeministrat ta kërkonin miratimin parlamentar për ndërhyrjet e ardhshme. Në mars të vitit 2011, deputetët e mbështetën aksionin në Libi, dhe vetëm dy vjet më vonë do ta refuzojnë atë për Sirinë. Tronditja ishte e madhe. Britania e madhe bombastike nuk bën gjëra të tilla; e bën luftën e mirë. Ky, të paktën, ka qenë gjithmonë vetë-imazhi i saj.

Kur nga BBC-ja kërkuan ta prezantoj një program special radiofonik, për votimin, u befasova kur Blair pranoi të intervistohej (më kishte refuzuar për një dekadë). Ishte shumë i etur për t’u dëgjuar, për t’u kuptuar. Ia citova Cameronin, duke thënë se njerëzit ishin “ndier të zhgënjyer” nga Iraku. Siç e ka zakon, Blairi nuk u pajtua, duke ma shtruar pyetjen se çfarë do të ndodhte me një botë “pa një arbitër”?

Iraku ka lënë plagët që refuzojnë të shërohen. Libia ishte ndërhyrje më e vogël, po aq kundërproduktive. Afganistani ishte më i gjati nga të gjithë, derisa u shemb me arratisjen poshtëruese nga Kabuli – në gushtin e vitit 2021. Duke ua dhënë atyre shpresat e rreme dhe sigurinë kalimtare, ShBA-ja vendosi që forcat ndërkombëtare papritmas të tërhiqen, duke i lënë afganët në mëshirën e talebanëve.

Këto dhe ndërhyrje tjera, si në Kosovë dhe në Sierra Leone, u përmbyllën me doktrinën e ndërhyrjes liberale ose humanitare. Kjo lindi nga tmerri i komuniteti global që shikonte nga ana tjetër, ndërsa njerëzit masakroheshin në Bosnje dhe në Ruandë. U shndërrua në një zell mesianik për t’i larguar diktatorët dhe për ta instaluar demokracinë, mu para tytës së armëve.

Kjo nuk po ndodhë më. Me emërimin e tij si sekretar i Shtetit, në mars të vitit 2021 Antony Blinken deklaroi: “Nuk do ta promovojmë demokracinë përmes ndërhyrjeve të kushtueshme ushtarake ose duke u përpjekur për t’i përmbysur me forcë regjimet autoritare. Në të kaluarën i kemi provuar këto taktika. Sado që kanë qëllim të mirë, nuk kanë funksionuar.”

Kur gjatë marsit të kaluar Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi për ta dënuar pushtimin e Ukrainës nga Putini, rreth 35 vende zgjodhën të abstenonin, përfshirë shtetet kryesore si India, Pakistani dhe Afrika e Jugut. Është pakësuar shumë aftësia e ShBA-së dhe e partnerëve të saj për ta bërë për vete Jugun Global. Në aspektin e diplomacisë, disa janë më pak të impresionuar nga rrahja e krahëve me “bëje atë që duhet “; disa prej kohësh nuk kanë qenë pjesë e aleancës. Disa shohin mundësi biznesi me Kinën dhe me Rusinë. Shumëkush vazhdojnë ta citojnë Irakun si bazë të dyshimit të tyre për qëllimet perëndimore.

Sa i përket Britanisë, asaj i është dashur goxha kohë – në fakt dekadat – por, a ka filluar më në fund ta pranojë rolin në botë që më shumë është në përputhje me statusin e saj aktual sesa me vetëmashtrimin? Realisht nuk mund ta ndjekë politikën e jashtme dhe të sigurisë globale, teksa është e zhytur në ekonominë më të sëmurë të botës perëndimore. Nuk është më në gjendje të kryejë ndërhyrje ushtarake, të çfarëdo lloji. E di se duhet të ketë prioritete.

Mantra fëmijërore xhonsoniane e “Britanisë globale”, po zëvendësohet nga “diplomacia e durueshme”. Britania nuk është më e interesuar të “dikojë apo t’u thotë të tjerëve se çfarë duhet të bëjnë,” deklaroi në dhjetor, sekretar i Jashtëm James Cleverly. Në vend të kësaj, ajo dëshiron marrëdhënie “të bazuara në interesa të përbashkëta dhe në parime të përbashkëta”. Nuk ka asgjë të turpshme në këtë.

Dhe, kjo më çon te Gjermania, e cila mendon më shumë se shumica, që më shumë se shumica e merr seriozisht praktikën e demokracisë. Megjithatë, kur erdhi puna për reagimin e tyre ndaj pushtimit të Putinit, shumëkush në atë vend nxori mësime të gabuara nga historia. Kujdesi instinktiv i gjermanëve për veprimet ushtarake, i shtyri të refuzojnë të marrin pjesë në marrëzinë e Irakut. Megjithatë, është gjithashtu përgjegjëse për ngurrimin për Ukrainën. Kurrë më Luftë – Nie Wieder Krieg – nuk është përfundimi që mund të nxirret nga epoka naziste. Po, lufta është opsion që duhet shmangur aty ku është e mundur; megjithatë, nënshtrimi ndaj diktaturës, ndaj krimeve të luftës dhe agresionit është rezultat edhe më i keq.

Perëndimi vazhdon të shfaq standarde të dyfishta, të jetë selektiv në zgjedhjen e aleatëve dhe të kundërshtarëve. Arabia Saudite ndoshta është rasti më flagrant në këtë aspekt. Pavarësisht se sa të tmerrshme janë shkeljet e të drejtave të njeriut, mbretëria kurrë nuk preket. Nuk jam duke e mbrojtur kthimin në mendësinë apo në veprimet e dy dekadave më parë. Kanë ikur ditët kur Perëndimi e paraqiti veten si Polic i Botës. Duhet të ndërtohen aleancat shumë më të gjera.

Putini aksidentalisht ia ka kujtuar botës detyrën për t’u mbrojtur. Aq i madh ishte dëshpërimi për gjendjen të demokracisë globale, dhe aq e paepur ka qenë rritja e populizmit (ndihmuar dhe nxitur nga njerëzit si Putini), saqë pakkush e priste rezistencën e tillë nga Ukraina dhe nga aleatët e saj. Gjatë vitit të kaluar përgjigja ka qenë kolektive, parimore dhe e kujdesshme – tepër e kujdesshme, në disa aspekte.

Iraku ishte luftë e tmerrshme, por ta përmendësh këtë përherë si arsye që vendet të mos përballen kurrë me diktatorët, do të thotë të heqësh dorë nga vlerat për të cilat ia vlen të luftosh. /Telegrafi/