LAJMI I FUNDIT:

Investohen afro dy milionë euro për rrugët në Haden e re

Investohen afro dy milionë euro për rrugët në Haden e re

Sot janë inauguruar punimet për ndërtimin e rrugëve në lagjen Hade e re, me që rast kanë marrë pjesë kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi dhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj. Punimet në këto rrugë janë paraparë të zgjasin dy vite, me një buxhet prej afro dy milionë eurosh.

Ministri Lekaj tha se ky realizimi i këtij projekti do të ndikojë në jetën e qytetarëve të kësaj lagjeje. Njëherësh, Lekaj premtoi edhe projekte të tjera për Obiliqin në vitet e ardhshme.

“Ne i premtuam kryetarit që nuk do të jenë vetëm projekte që janë për vitin fiskal 2018, por do të fillojmë me projekte të reja në vitin 2019 dhe 2020 që me të vërtetë Obiliqi ta ketë pamjen çfarë duhet dhe çfarë qytetarët e kërkojnë. Në shërbim të kësaj ne jemi sot edhe këtu që të mbështesim projektin, por e falënderoj kryetarin për punën që po e bën dhe për projektet që po i zhvillon në kohë dhe mendoj që Obiliqi e meriton një përkrahje të tillë”, ka thënë Lekaj.

Ndërsa, kryetari Gashi i po ashtu ka thënë që vitin e ardhshëm buxheti i kësaj komune do të rritet për pesë milionë euro, dhe ka njoftuar që së shpejti do të fillojë edhe ndërtimi i sheshit të Obiliqit.

“Është projekt rreth 1 milionë e 950 mijë euro që janë të ndara nga Ministria, do të jetë projekt dy vjeçar dhe punët sot kanë filluar. Shpresojmë që buxheti që është i planifikuar për këtë vit, të realizohet. Gjithashtu, e falënderojmë ministrin që edhe në ditët në vijim do të fillon edhe ndërtimi i sheshit në Obiliq, po ashtu janë duke u ndërtu rrugët nga Plemetini, Hamidi, deri në Shipitullë, një projekt që po zhvillohet me sukses”, ka thënë Gashi.

Projekti për ndërtimin e rrugëve në këtë lagje, financohet nga komuna e Obiliqit dhe Ministria e Infrastrukturës. /KP /Telegrafi/