LAJMI I FUNDIT:

Investimet e Huaja Direkte, kërkohet që Kosova t’i promovojë potencialet ekonomike

Investimet e Huaja Direkte, kërkohet që Kosova t’i promovojë potencialet ekonomike

Kosova ofron potenciale të shumta për tërheqjen e investimeve të huaja, por nevojitet promovim më i mirë si dhe adresim i disa çështjeve si burokracia, perceptimi për korrupsionin dhe zbatueshmëria e kontratave, për rezultate më të mëdha në rritjen e investimeve të huaja në vend.

Kjo u tha gjatë një forumi të diskutimit mbi arsyet për të investuar, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në të cilin folën përfaqësues të Qeverisë, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësues të kompanive private.


Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se në shumë prej aspekteve që janë të rëndësishme për tërheqjen e investimeve të huaja si fuqia punëtore dhe normat tatimore, Kosova qëndron shumë mirë.

Hajdari tha se po ashtu kultura e të bërit biznes në Kosovë është e afërt me atë të vendeve perëndimore, duke e vlerësuar këtë si element të rëndësishëm në ofertën e Kosovës për investitorët e huaj.

Ajo shton se Kosova ofron shumë përparësi për kompanitë e huaja për kontraktimin e shërbimeve të caktuara nga kompanitë kosovare, që ndodhen gjeografikisht afër këtyre kompanive të huaja, ose “nearshoring”.

E para e tregtisë ka folur edhe për rëndësinë e sistemit të favorshëm tatimor, por edhe faktit që Kosova përdor valutën euro si valutë zyrtare, e që shmang rrezikun e këmbimit valutor. Hajdari është shprehur se shumë biznese evropiane kanë treguar interesimin e tyre për vendosjen e aktiviteteve të tyre të prodhimit në Kosovë, duke ofruar me këtë edhe mundësinë e trajnimit të fuqisë punëtore në fushën e prodhimit dhe përpunimit.

Zyrtari për Ekonomi në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dillon Green tha se Kosova ka lokacion strategjik gjeografik, si dhe qasje preferenciale tregtare në Bashkimin Evropian, ka treg të mirë të punës, por edhe shoqëri e cila është mikpritëse dhe e hapur për SHBA-në në përgjithësi, dhe bizneset amerikane në veçanti.

Green është shprehur se kurdo që afaristët amerikanë vizitojnë Kosovën, ata janë pozitivisht të befasuar me atë që ofron vendi ynë, prandaj është me rëndësi që të sigurohen sa më shumë vizita të tilla.

Ai shton se Kosova ka një ofertë atraktive për investitorët, duke përmendur si pozitiv faktin që Kosova ka popullsi të re që flet shumë gjuhë të huaja, por edhe regjim të mirë të tatimit për korporata.

Zyrtari amerikan theksoi nevojën e përqendrimit më të madh te diaspora e Kosovës, ndërsa për sa i përket promovimit të investimeve, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai tha se duhen përzgjedhur vende të cilat kanë njohuri për Kosovën, siç është shteti i Ioëas.

Në fund, Green thekson se në Kosovë ekziston një perceptim i lartë për korrupsionin, por gjithsesi ekziston edhe një hendek i madh ndërmjet perceptimit dhe korrupsionit real.

Afrore Rudi nga kompania Deloitte, Michael Gold nga kompania Crimson Capital dhe Ramis Ahmetaj ekspert i financave folën për aspektet e tjera siç është sektori i zhvilluar financiar, politikat e favorshme fiskale, si dhe popullsia e mirë edukuar, si aspekte të tjera të rëndësishme për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, duke theksuar edhe çështjet e caktuara, zgjidhja e të cilave duhet të ketë vëmendjen e Qeverisë dhe institucioneve të tjera të vendit. /Telegrafi/