LAJMI I FUNDIT:

Intervistë ekskluzive, Borrell: Kosova dhe Serbia sa më parë të arrijnë një marrëveshje finale që zgjidhë çështjet e hapura

Intervistë ekskluzive, Borrell: Kosova dhe Serbia sa më parë të arrijnë një marrëveshje finale që zgjidhë çështjet e hapura
Foto: Josep Borrell Fontelles/Twitter

Josep Borrell Fontelles, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe nënkryetari i Komisionit Evropian në një intervistë ekskluzive për Telegrafin ka folur për vizitën e tij në Kosovë, për pritjet e tij për dialogun, marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe liberalizimin e vizave.

Shefi i diplomacisë evropiane, Borrell në intervistë për Telergafin me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu ka thënë se Kosovës i duhet një qeveri që të ecë përpara me vendosmëri dhe të përmbushë pritjet e njerëzve.


Borrell në këtë intervistë duke folur për marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet që sa më parë ta kenë një marrëveshje finale, e cila i zgjidhë të gjitha problemet e hapura.

Josep Borrell (Foto: Pablo Blazquez Dominguez/Getty Images/Guliver)

Ai ka folur edhe për marrëveshjen e fundit për linjën e ajrore mes Kosovës dhe Serbisë.

Telegrafi: z. Borrell, cila është arsyeja e vizitës tuaj?

Borrell: Si Përfaqësues i Lartë, unë kam dashur që Kosova të jetë destinacioni im i parë. Ballkani Perëndimor do të jetë prioritet gjatë mandatit tim dhe, duke marrë parasysh vendosmërinë time për ta avancuar dialogun e udhëhequr nga BE-ja, unë kam dashur që Kosovën ta vizitojë së pari në këtë regjion. Gjatë qëndrimit tim unë dua t’i dëgjoj dhe t’i njoh homologët e Kosovës – liderët politikë, por edhe shoqërinë civile. Normalisht, edhe situata aktuale politike do ta përbëjë një pjesë të rëndësishme të diskutimeve. Unë mund ta përsëris vetëm pikëpamjen tonë bazike, se Kosovës i nevojitet qeveria në mënyrë që të ecë përpara me vendosmëri dhe t’i realizojë pritshmëritë e njerëzve.

Telegrafi: z. Borrell, Kosova dhe Serbia e kanë nënshkruar një marrëveshje nën koordinimin e Shteteve të Bashkuara për linjën ajrore Prishtinë – Beograd, a ishte Bashkimi Evropian pjesë e kësaj marrëveshje?

Borrell: Të gjitha marrëveshjet të cilat i avancojnë marrëdhëniet e Prishtinës dhe Beogradit, siç është edhe kjo e linjës ajrore, janë të mirëpritura. Zhvillimi ekonomik dhe rritja e investimeve janë kyç për regjionin dhe për Serbinë dhe Kosovën. Kjo është e qartë. Ne vazhdojmë të punojmë bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi që kemi një agjendë të përbashkët për regjionin.

Telegrafi: z. Borrell, a është marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë në prioritetin tuaj?

Borrell: Është prioritet për regjionin, për shtetet anëtare dhe për mua. Kjo është arsyeja se përse kaq shpejt kam dashur të vijë në Kosovë dhe Serbi. Unë personalisht jam i përkushtuar të shpenzojë kohë dhe të përpiqem maksimalisht për ta arritur marrëveshjen finale. Që të dyja – Kosova dhe Serbia – duhet që sa më parë ta kenë një marrëveshje finale e cila i zgjidhë të gjitha problemet e hapura. Rrethanat momentale janë duke e penguar këtë. Shumë energji politike shkon për normalizimin ose për mos normalizimin e marrëdhënieve. Do të ishte mirë që e tërë kjo energji politike të shkojë për reforma, investime apo për ambientin. Kjo është arsyeja se përse gjendja momentale nuk mund të zgjatë më shumë. Nuk ka status quo. Status quo do të thotë të ecim prapa. Serbia dhe Kosova duhet ta kenë marrëveshjen finale në mënyrë që të ecin në rrugët e tyre evropiane.

Telegrafi: z. Borrell, Kosova është i vetmi shtet në regjion që nuk ka liberalizim të vizave dhe kjo po konsiderohet si diskriminim i Bashkimit Evropian ndaj Kosovës – cili është komenti juaj për këtë?

Borrell: Liberalizimi i vizave është objektivi jonë i përbashkët dhe është dashur të ndodh shumë më herët. Unë e di se qytetarët e Kosovës duan të udhëtojnë lirshëm në shtetet e Bashkimit Evropian dhe situata momentale i bën ata të ndihen të izoluar. Nuk mund të jap premtime rreth asaj se kur do të ndodhë liberalizimi i vizave, pasi që ky vendim merret nga shtetet anëtare. Por, nga ana ime dhe ana e Komisionit, Kosova i ka përmbushur kriteret dhe është koha të ecim tutje.

Foto: Josep Borrell Fontelles/Twitter

Telegrafi: z. Borrell a besoni se marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë mund të ndodh këtë vit?

Borrell: Koha se kur ndodh është ende në duart e palëve.

Telegrafi: Bashkimi Evropian e ka vendosur ambientin në krye të agjendës së vet. A mund të na tregoni më shumë për Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe ndikimin që ka në Kosovë, kryesisht përmes investimeve të BE-së për ta përmirësuar kualitetin e ajrit në Prishtinë duke i reduktuar emetimet e dëmshme të Kosovës B?

Borrell: Marrëveshja e Gjelbër Evropiane është vizion dhe pako e masave transformuese për të ndikuar në ndryshimin e klimës dhe degradimin ambiental. Ambicia është e paprecedent. Marrëveshja përkushtohet që ta bëjë BE-në një vend neutral të karbonit deri në vitin 2050 dhe prezanton një tranzicion të qëndrueshëm nga i cili përfitojnë qytetarët evropianë dhe bizneset. Implementimi i Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe ndikimi global kërkojnë reagimin tonë kolektiv. Shtetet e Ballkanit Perëndimor e luajnë një rol të rëndësishëm në këtë. E ardhmja e tyre shtrihet brenda Bashkimit Evropian dhe ne duhet të punojmë së bashku nëse dëshirojmë ta bëjmë Evropën kontinentin e parë me klimë neutrale dhe për ta përmirësuar kualitetin e jetës së qytetarëve tonë. Problemi i ndotjes së ajrit është shumë evident këto ditë, pasi që qytete të shumta në Ballkanin Perëndimor renditen në mesin e kryeqyteteve me ajrin më të ndotur në botë. Partnerët tanë dhe njerëzit e tyre mund të llogarisin në mbështetjen e Bashkimit Evropian për të reaguar me efikasitet. Gjatë vizitës sime, unë do ta kem nderin që t’i inauguroj punët e financuara nga BE-ja për rinovimin e Kosovës B, të cilat do të ndikojnë dukshëm në zvogëlimin e emetimeve, do të kontribuojnë në furnizim më të pastër të energjisë dhe do ta përmirësojnë shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Kosova është Evropë dhe duhet të jetë pjesë e kësaj përpjekje të përbashkët. Ne shpresojmë dhe presim se vendosmëria jonë do të përputhet me atë të politikbërësve të Kosovës. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

Drejtësi
Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Siguri
Kryeministri tha se marrëveshja e 2015-ës me Serbinë shkel Kushtetutën, reagon Mustafa: Është sajesë dhe gënjeshtër e Kurtit

Kryeministri tha se marrëveshja e 2015-ës me Serbinë shkel Kushtetutën, reagon Mustafa: Është sajesë dhe gënjeshtër e Kurtit

Lajme
Stano: Shqetësues arrestimi i zyrtarëve policorë të Kosovës nga Serbia

Stano: Shqetësues arrestimi i zyrtarëve policorë të Kosovës nga Serbia

Lajme
Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Drejtësi
Çka po synon Serbia me testimin e armëve në kufi me Kosovën, flasin ish-ushtarakët

Çka po synon Serbia me testimin e armëve në kufi me Kosovën, flasin ish-ushtarakët

Siguri
Kalo në kategori