Interi i etur për ta pasur në skuadër yllin e Chelseas

Raportimet nga Italia pretendojnë se Interi është i interesuar për një marrëveshje të mundshme me mesfushorin e Chelseat, Andrey Santos, përpara një merkatoje vere që pritet të jetë shumë e ngarkuar për Nerazzurrët.
Sipas Fabrizio Romanos, Interi po shqyrton transferimin e 21-vjeçarit brazilian, i cili së fundmi është ftuar edhe në kombëtaren e Brazilit nga Carlo Ancelotti.
Vera pritet të jetë intensive për Interin, pasi disa lojtarë me eksperiencë do të largohen në fund të kontratës, ndërsa raportimet e fundit sugjerojnë se klubi nuk e përjashton edhe shitjen e një emri të madh të ekipit të parë.
Andrey Santos është një nga mesfushorët që mund të transferohet në “San Siro” këtë verë. Interi kishte diskutuar edhe në verën e vitit 2025 për një marrëveshje të mundshme për brazilianin, ndërsa sipas raportimeve janë zhvilluar disa takime me agjentët dhe ndërmjetësit Giuliano Bertolucci dhe Kia Joorabchian.

Vlerësimi i Chelseat mund të jetë pengesë për skuadrën e drejtuar nga Cristian Chivu. “Calciomercato” raporton se klubi londinez refuzoi verën e kaluar një ofertë rreth 50 milionë euro nga Arabia Saudite për Andrey Santos.
Megjithatë, duke qenë se lojtari nuk është titullar i padiskutueshëm në “Stamford Bridge” dhe këtë sezon ka vetëm 13 ndeshje si titullar mes Ligës Premier dhe Ligës së Kampionëve, Interi shpreson që Chelsea të ketë ulur kërkesat për 21-vjeçarin.
Andrey Santos nuk është emri i vetëm në listën e dëshirave të Interit, pasi raportime të shumta në Itali sugjerojnë se Nerazzurrët janë të interesuar edhe për mesfushorin e Romës, Manu Kone./Telegrafi/



















































