Inteligjenca artificiale parashikon pjesën e mbetur të Kupës së Botës 2026: Kush kalon tutje, kush luan në finale?


Kupa e Botës 2026 ka hyrë në fazën vendimtare, me tetë kombëtaret e mbetura që vazhdojnë garën për lavdinë më të madhe në futboll.
Tri vendet organizatore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika, arritën të kalonin fazën e grupeve dhe të shkonin deri në 1/16 e finales, por të tria u eliminuan në këtë fazë. SHBA-ja u mposht nga Belgjika, Kanadaja nga Maroku, ndërsa Meksika u eliminua nga Anglia.
Krahas Belgjikës, Marokut dhe Anglisë, në çerekfinale kanë arritur edhe kampionia në fuqi Argjentina, e cila realizoi një rikthim të madh në fund ndaj Egjiptit në 1/16 e finales, si dhe Franca, Spanja, Norvegjia dhe Zvicra.
Para nisjes së çerekfinaleve, të cilat fillojnë të enjten mbrëma me përballjen mes Francës dhe Marokut, inteligjenca artificiale GrokAI ka bërë parashikimet për pjesën e mbetur të turneut.
The quarter-finals are set 🤝#FIFAWorldCup
— FIFA World Cup (@FIFAWorldCup) July 7, 2026
Çerekfinalet
Çerekfinalja e parë do të sjellë përballjen mes Francës dhe Marokut në stadiumin e Bostonit. Dy kombëtaret u përballën edhe në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2022, ku Franca triumfoi me rezultat 2-0.
Maroku, që synon të bëhet kombëtarja e parë afrikane që fiton Kupën e Botës, do të kërkojë hakmarrje për atë eliminim. Megjithatë, parashikimi i inteligjencës artificiale e favorizon sërish Francën, e cila pritet të fitojë 2-1, me Kylian Mbappen që parashikohet të realizojë dy gola.
Belgjika nuk konsiderohej ndër favoritët kryesorë para fillimit të turneut, por ka arritur të sigurojë një vend mes tetë kombëtareve më të mira. Sidoqoftë, inteligjenca artificiale mendon se Spanja do të jetë shumë e fortë për belgët dhe do të triumfojë me rezultat 3-1, me Lamine Yamal që pritet të shkëlqejë në këtë përballje.
Anglia dhuroi një paraqitje të jashtëzakonshme në fitoren ndaj Meksikës në stadiumin “Azteca” në 1/16 e finales, ndërsa Norvegjia eliminoi Brazilin. “Tre Luanët” konsiderohen favoritë në përballjen që do të zhvillohet në Miami, por GrokAI parashikon një surprizë të madhe, me Norvegjinë dhe Erling Haaland që pritet të eliminojnë Anglinë.

Kampionia në fuqi, Argjentina, nuk ka bindur plotësisht në fazën me eliminim direkt. Ajo kishte nevojë për kohën shtesë për të mposhtur Kepin e Gjelbër në 1/32 e finales, ndërsa ndaj Egjiptit realizoi tre gola të vonshëm për të siguruar kualifikimin. Pavarësisht vështirësive, inteligjenca artificiale e sheh Argjentinën fituese 2-0 ndaj Zvicrës dhe të kualifikuar në gjysmëfinale.
Parashikimet për çerekfinalet
- 9 korrik, Boston Stadium: Franca 2-1 Maroku
- 10 korrik, Los Angeles Stadium: Spanja 3-1 Belgjika
- 11 korrik, Miami Stadium: Anglia 1-2 Norvegjia
- 11 korrik, Kansas City Stadium: Argjentina 2-0 Zvicra
Gjysmëfinalet
Nëse realizohen parashikimet për çerekfinalet, Franca dhe Spanja do të përballen në Dallas në një ndeshje të madhe për një vend në finale.
Spanja e kishte mposhtur Francën në gjysmëfinalen e Kampionatit Evropian 2024, përpara se të fitonte edhe trofeun. Megjithatë, këtë herë inteligjenca artificiale beson se skuadra e Didier Deschamps do të marrë revanshin.
Sipas parashikimit, Franca do të fitojë 2-1 ndaj Spanjës, në një përballje të cilësisë së lartë. Mbappe pritet të shënojë, ndërsa një gol nga ndërprerja mund të jetë vendimtar për francezët. Spanja parashikohet të ngushtojë rezultatin, por jo të shmangë eliminimin.
Në gjysmëfinalen tjetër, Argjentina parashikohet të mposhtë Norvegjinë me rezultat 3-1. Sipas GrokAI, argjentinasit do të shkëputen në pjesën e dytë, me Lionel Messin që pritet të zhvillojë një ndeshje të madhe, duke realizuar një gol dhe duke dhuruar një asistim. Erling Haaland parashikohet të shënojë golin e Norvegjisë.

Parashikimet për gjysmëfinalet
- 14 korrik, Dallas Stadium: Franca 2-1 Spanja
- 15 korrik, Atlanta Stadium: Norvegjia 1-3 Argjentina
Ndeshja për vendin e tretë dhe finalja
Asnjë kombëtare nuk dëshiron të luajë ndeshjen për vendin e tretë, pasi lojtarët zakonisht mbeten të zhgënjyer pas humbjes së mundësisë për të luajtur në finale. Shpesh, këto ndeshje zhvillohen me ritëm më të ulët dhe pa shumë emocione.
Megjithatë, inteligjenca artificiale parashikon se ndeshja për vendin e tretë në Kupën e Botës 2026 do të jetë ndryshe. Spanja pritet të mposhtë Norvegjinë me rezultat 2-1 në një përballje të bukur dhe argëtuese.
Parashikimi për ndeshjen e vendit të tretë
- 18 korrik, Miami Stadium: Spanja 2-1 Norvegjia
Katër vjet më parë, këto dy kombëtare dhuruan një nga finalet më të mëdha në historinë e futbollit. Ndeshja përfundoi në barazim edhe pas kohës shtesë dhe Argjentina triumfoi pas ekzekutimit të penalltive.
Këtë herë, GrokAI parashikon që Franca do të marrë hakmarrjen dhe do të shpallet kampione e botës për herë të tretë në histori.
Sipas parashikimit, finalja do të jetë emocionuese dhe do të vendoset në minutat e fundit. Lionel Messi pritet të barazojë rezultatin për Argjentinën, por Kylian Mbappe parashikohet të realizojë golin e fitores në minutën e 82-të.

Parashikimi për finalen
- 19 korrik, New York New Jersey Stadium: Franca 2-1 Argjentina









































