LAJMI I FUNDIT:

Instituti i Psikiatrisë Forenzike: Aty ku del e vërteta, për veprat e këqija që i bën sëmundja (Foto)

Instituti i Psikiatrisë Forenzike: Aty ku del e vërteta, për veprat e këqija që i bën sëmundja (Foto)

Jo gjithmonë jeta të sjell lehtësime. Plotë njerëz janë të prirë për të luftuar, për t’u mbrojtur dhe jetuar jetën vetëm ashtu si ata e konceptojnë dhe e dëshirojnë, pa marrë parasysh të tjerët. E, përballja me sfidat dikë e dërgon në një jetë të arnuar, me krime e disfatë. Kjo edhe si pasojë e shfaqjes së sëmundjeve psikike, të cilat duhet rikuperuar dhe shëruar. Por, fatkeqësisht, pasojat mbesin... diku!

Secili shtet duhet të kujdeset për rastet e personave që vuajnë nga sëmundje të ndryshme mendore, që mund të ndikojnë në kryerjen e një vepre penale. Për këtë ekziston Instituti i Psikiatrisë Forenzike, i cili institut përkujdeset që të bëjë vlerësime dhe ekzaminime për momentin e kryerjes së një vepre penale.

I tillë është rasti me një të ri nga Klina, i cili edhe pse i ri në moshë, u bë “banor” i këtij Instituti.

“Jam i dënuar për ngatërresë. Nuk jam i martuar, ndërsa familjen e kam në Komunën e Klinës”, thotë ai.

Gjersa fliste, sytë i rrotullonte duke mos dashur të shikojë dhe të besojë se me të vërtet po përjeton ëndrrën më të keqe të jetës së tij.

Të gjithë ata të cilët trajtohen në këtë institucion, gjatë vizitës së Telegrafit ishin të qetë; dikush ishte i shtrirë në shtratim e tij, dikush tjetër ecte përreth oborrit të izoluar, e shumë të tjerë mbylleshin në mendimet e tyre.

Drejtori i Institutit të Psikiatrisë Forenzike është Dr. Gani Halilaj. Ai e drejton institutin më të veçantë në Kosovë, i cili ka të bëjë drejtpërdrejt me personat të cilët duhet vlerësuar e ekzaminuar për momentin e kryerjes së veprës penale.

“Është ky një institucion i ri në kuadër, të shërbimeve të shëndetit mendor, i themeluar në bashkëpunim me Ministrin e Shëndetësisë, Ministrinë e Drejtësisë dhe njëherësh me përkrahje permanente nga Klinika e Psikiatrisë. Institucioni bën vlerësime, trajtohen klientët të cilët kanë kryer vepra penale e të cilët gjenden qoftë në burg ose në paraburgim. D.m.th., është institucion në shërbim të Ministrisë së Drejtësisë – më tepër të Prokurorisë dhe Gjykatave. Këtu kryhen shërbime shëndetësore, si në aspektin e trajtimit të detyrueshëm, por njëkohësisht edhe në kuadër të vlerësimeve ose ekspertizave”, ka thënë ai.

Gani Halilaj

Institucioni që ai drejton, ndahet në tri reparte: A , B dhe C. Vendosja e “banorëve” në këtë institucion bëhet me urdhër të gjykatave.

“Reparti ‘A’ ndryshe quhet edhe reparti i pranimit. Aty vijnë personat me urdhëresa nga gjykatat dhe prokuroritë. Në kuadër të këtij reparti kryhen edhe ekspertizat psikiatrike ditore ose ambulatore. Reparti ‘B’ është për vlerësimin, gjegjësisht trajtime të detyrueshme në ambient të mbyllur. Ndërsa, reparti ‘C’ merret me trajtimin, vlerësimin, ekspertiza psikiatrike-forenzike. Këto ekspertiza kryhen me kërkesën e gjykatës dhe qëndrimi i tyre mund të jetë deri në një muaj. Brenda 15-30 ditëve jemi të obliguar që në kuadër të ekipit multidisiplinar – psikiatri, psikologu, punëtori social dhe infermierët – të kthejmë përgjigje dhe të bëjmë vlerësim se a ka pasë individi probleme në momentin e kryerjes së veprës, se a ka pasë probleme shëndetësore më herët apo problemi është shfaqur më vonë”, shtoi Halilaj.

Sa i përket moshës, ai thotë se nuk ka ndonjë dallim të theksuar.

“Kemi pranime të moshave të ndryshme. Ndërsa, sa i përket gjinisë, ajo kryekëput është mashkullore. Vetëm një rast e kemi pasur të gjinisë femërore dhe ai ka ardhur nga burgu i Lipjanit”, shpjegoi ai për Telegrafin.

Ky Institut është krijuar nga Bashkësia Evropiane, për t’i plotësuar standardet sa i përket gjykatave e prokurorive. Momentalisht aty janë 44 punëtorë: dy neuropsikiatër, katër psikiatër, dy specializantë për terapi forenzike, një psikolog, dy punëtorë socialë, katër në pjesën e administratës, 23 infermierë, tre kuzhinierë, dy lavanteri dhe një mirëmbajtës.

Aty ka edhe raste ambulatore, sa i përket të miturve, ndaj mendohet të hapin një repart të veçantë edhe për rehabilitimin e atyre që përdorin substanca narkotike. Ndërsa, Reparti C është repart që vepron në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, gjegjësisht me Shërbimin Korrektues të Kosovës, e ku oficerët duhet të jenë të pranishëm, pasi ekziston rrezikshmëria ndaj punëtorëve.

“Ne e kryejmë pjesën tonë shëndetësore, infermierët e kryejnë pjesën e vet shëndetësore dhe mundësia e dhunës është e paparashikueshme”, tha ai.

Hapja e këtij institucioni është bërë para një viti, ndërsa deri sot ka bërë gjithsej 150 ekzaminime psikiatrike ambulatore dhe 79 pranime në institucion.

“Këto ekspertiza janë të gjitha të kryera në repartin C, ku rastet kanë qëndruar nga dy javë deri një muaj. Duket numër i vogël, por bëhet një punë e madhe. P.sh., punëtorët socialë nuk merren vetëm me klientin, por edhe me familjarët, sepse duhet të shohin edhe rrethin që të bëhet një analizë komplete. Pastaj bëhet ekzaminimi psike-social, ku kërkohen arsyet, shkaqet se pse ka ndodhur vepra penale. Kur arrihet te vlerësimi, atëherë duhet të jemi tepër të saktë në rezultat”, vazhdoi Halilaj.

Sipas tij, ata jo çdo herë kanë pasur sukses në rezultatet e dërguara gjykatave përkatëse, pasi në disa raste ato kanë kërkuar të ribëhen vlerësimet.

“Herë pas herë gjykatat nuk janë të kënaqur me një rezultat të tillë. Ne e bëjmë sërish një vlerësimin tjetër, por ftojmë edhe persona nga jashtë. Me kërkesë të gjykatave jemi të detyruar madje të ndërrojmë ekipin”.

Neuropsikiatri Fahri Drevinja, i cili është koordinator i cilësisë së shërbimeve pranë këtij instituti, thotë se puna e tyre është mjaftë specifike.

Fahri Drevinja

“Ofrojmë shërbime për gjykatat e Kosovës , për organet hetimore, Policinë, Prokurorinë, bëjmë ekspertizë ose vlerësimin e gjendjes mendore të personave të cilët gjenden nëpër procese gjyqësore e të cilët kanë kryer vepra të ndryshme. Gjykatës, Hetuesisë ose Prokurorisë u intereson gjendja e tyre mendore në momentin e kryerjes së veprave, ose ju intereson prognoza se çka do të bëhet me atë në të ardhmen”, theksoi Drevinja. “Shumë veprime të këqija vijnë nga pjesa e sëmurë e individit. Ndaj, ndodh që ato vepra nuk i ka kryer me dashje, por motivacioni ka qenë i sëmur. Ata denoncohen në organet hetimore, e pastaj organet hetimore për gjykatë, e gjykatat tek ne”, thotë ai.

Nëse rasti është i rëndë dhe kërkon ekzaminim spitalor, personi vendoset në këtë institucion.

“Mbajtja këtu varet nga rëndësia e rastit”.

Shumica e klientëve, kur e mbarojnë trajtimin, duhet të kenë përkujdesje nga shteti në mënyrë që ata të mos i kthehen veprës së njëjtë.

“Nëse atij i krijohen kushte jo komode, atëherë ai i kthehet veprës së njëjtë. Një person me skizofreni shpenzon shumë dhe nuk ia del me një pension që merr nga shteti. Personi i sëmurë nuk është i dobishëm për shtetin, e as për familje e shoqëri. Ne mundohemi që t’ua barnat sigurojmë nëpër qendrat e shëndetësisë, por edhe kjo është e vështirë, ndaj nevojitet përkrahje prej tri ministrive. Instancat shoqërore duhet të bëhen aleatë të familjes që suksesi të jetë i plotë”.

Kryeinfermierja e Psikiatrisë Forenzike, Hatixhe Xhemajli, thotë se puna e saj është sfiduese.

Hatixhe Xhemajli

“Janë me vepra penale, për shkak të sëmundjes apo si pasojë e saj, ndaj kujdesi duhet të jetë i shtuar”, tha ajo. “Problem është se kemi më shumë infermiere femra. E, në bazë të përvojave nga shtetet tjera, duhet të jetë numri më i madh i infermierëve meshkuj, për shkak të rrezikut të punës. Reagimet e klientëve dinë të jenë të tmerrshme”.

Telegrafi intervistoi edhe një tjetër pacientë të institucionit. Ai tha se ka vdekur njëherë dhe se është çuar sërish!

“Unë jam i Komunës së Pejës. Jam dënuar për një rrahje. Kam një muaj qëndrim këtu. Kam vdekur dhe jam çuar sërish, e asnjëherë s’e kam menduar që do të më ndodhte mua kjo gjë. Kam arritur rezultat të mirë sa i përket shëndetit tim. Kam familje; nënën, motra, vëllezër, por nuk jam i martuar. E ndjej nevojën që të jem jashtë nga këtu”, fliste ai me kokën ulur, ku vërehej një buzëqeshje e vuajtur që sikur dëshironte të shikonte dritën e lirisë dhe shëndetin e tij në gjendje normale. /Elfije Boletini/Ridvan Slivova/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
E mohoi në Kuvendin e Serbisë, por Goran Rakiq ishte betuar si ministër në Kuvendin e Kosovës

E mohoi në Kuvendin e Serbisë, por Goran Rakiq ishte betuar si ministër në Kuvendin e Kosovës

Lajme
Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Lajme
Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Drejtësi
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

Lajme
Kalo në kategori