Raporti final për trajtimin e rastit të pesëvjeçarit nga Janjeva e Lipjanit ka konstatuar se institucionet dështuan në parandalim.

Ani pse ministri për Punë dhe Familje, Andin Hoti pati paralajmëruar masa ndëshkuese, ende nuk janë ndërmarrë veprime.


Javën e kaluar, Divizioni për Inspektim të Shërbimeve Sociale dhe Familjare ka nxjerrë raport me të gjetura me përfundime dhe rekomandime për këtë rast.

Komunës së Lipjanit i është rekomanduar që të marrë masa disiplinore ndaj zyrtarëve përgjegjës të QPS-së.

“Nga raporti me të gjeturat dhe rekomandimet për ndërmarrjen e veprimeve disiplinore ndaj zyrtarëve përgjegjës të QPS-së, si dhe në përputhje me ligjin përkatës për zyrtarët publik, me datë 16.04.2026 i është dorëzuar Komunës së Lipjanit rekomandimi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për Punë dhe Familje.

KosovaPress ka kontaktuar drejtorin e Shëndetësisë në Komunën e Lipjanit, Shkelzen Hajdini, i cili nuk bëri të ditur që kanë ndërmarrë ndonjë masë.

“Nuk janë proceduar masat, ende janë duke u proceduar. Është proceduar raporti, e kemi pranuar raportin dhe kemi vazhduar tutje me procedurat. Nuk mundem më shumë me fol”, tha ai shkurt për KosovaPress.

Edhe drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, Makfirete Shamolli ka hezituar të flas, duke thënë “jo, unë nuk kam marrë raportin”.

Ministri për Punë dhe Familje, Andin Hoti në intervistën për KosovaPress pati paralajmëruar se do të ftohet edhe grupi ndërministror. Edhe përmes përgjigjes me shkrim, bëhet e ditur se më 16 prill i është dërguar letër ministres me propozim për takim të këtij grupi.

“Në përputhje me rekomandimet e raportit të Inspektimit të rastit dhe dispozitave ligjore të aplikueshme për rolin dhe përgjegjësinë e Koordinatores Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore, Grupit Koordinues Ndërministror për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Ministri Hoti i ka dërguar letër Ministres znj. Donika Gërvalla me propozimin për takim të Grupit Koordinues Ndërministror për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, më datë 16.04.2026”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Po ashtu, është bërë e ditur se Ministria për Punë u ka dërguar komunave letër me shkrim me sugjerime për ndërmarrjen e veprimeve “që do të kontribuonin në rritjen e kapaciteteve të Qendrës për Punë Sociale dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve”.

Një muaj më parë, ngjarja e pesëvjeçarit e ka tronditur vendin. Për shkak të keqtrajtimit nga prindërit, ai mori trajtim mjekësor në Kujdesin Intensiv Pediatrik. Dy prindërit ndodhen në paraburgim.

KosovaPress e ka pyetur Ministrinë edhe se ku ndodhet fëmija pas lirimit nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK). Kjo e fundit pati thënë se pesëvjeçari është marrë nga Qendra për Punë Sociale e Gjakovës.

Ministria për Familje nuk ka treguar se në cilën qendër ndodhet, përveç që ka theksuar se “Familja është në mbrojtje të Qendrës për Punë Sociale, është i vendosur në strehim dhe është në përkujdesje institucionale të QPS-së”.