Inspektorët në Gjilan gjobisin dy kompani pasi kamionët e tyre ndotën rrugët me beton


Inspektorët e Komunës së Gjilanit kanë shqiptuar gjoba ndaj dy subjekteve afariste, kamionët e të cilave kanë ndotur rrugët me beton, pas ankesave të pranuara nga qytetarët.
Drejtoria e Inspekcionit ka bërë të ditur se, pas denoncimeve nga qytetarët, inspektorët kanë dalë në terren dhe kanë ndërmarrë veprime konkrete ndaj kompanive përgjegjëse për ndotjen e hapësirave publike.
Sipas njoftimit, automjetet e këtyre subjekteve afariste kanë shkaktuar ndotje të rrugëve duke lënë mbetje betoni, çka ka çuar në shqiptimin e masave ndëshkuese në përputhje me kompetencat ligjore.
"Ftojmë të gjithë shoferët dhe operatorët që të respektojnë detyrimet ligjore dhe të tregojnë kujdes të shtuar në ruajtjen e mjedisit dhe pastërtisë publike. Rrugët dhe hapësirat publike janë pasuri e përbashkët dhe mirëmbajtja e tyre është përgjegjësi e secilit prej nesh", thuhet në reagimin e inspektorëve të Komunës së Gjilanit.
Nga Drejtoria për Inspekcion kanë paralajmëruar se kontrollet në terren do të vazhdojnë dhe se ndaj të gjithë atyre që ndotin mjedisin do të merren masa ndëshkuese.
"Inspektorët janë në terren dhe do të vazhdojnë me gjoba ndaj të gjithë atyre që ndotin mjedisin", thuhet në njoftim. /Telegrafi/




































