LAJMI I FUNDIT:

Inspektorati Policor detyrohet ta kthejë në punë dhe t’ia kompensojë mbi 20 mijë euro ish-udhëheqëses së hetimeve

Inspektorati Policor detyrohet ta kthejë në punë dhe t’ia kompensojë mbi 20 mijë euro ish-udhëheqëses së hetimeve

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) është obliguar të kthejë në vendin e punës, Valbona Osmanin, ish-udhëheqëse e Departamentit për Hetime Speciale dhe t’ia kompensojë 20 mijë e 424 euro.

Kjo pasi Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar pjesërisht padinë e ushtruar nga Osmani kundër të paditurës IPK, me objekt padie anulimin e vendimit për lirimin nga pozita drejtuese, kthimin në vendin e punës dhe kompensimin e pagave.


Paditësja Valbona Osmani kishte parashtruar padi për anulimin e vendimeve të të paditurës IPK-së, me anë të të cilëve asaj i ishte shqiptuar vendimi për lirim nga pozita drejtuese, e më pas vendimi për tu sistemuar në kuadër të strukturës operative në kuadër të Departamentit të Hetimeve.

Me aktgjykimin e 8 qershorit 2021, gjykata ka anuluar si të paligjshme vendimet e nxjerra nga e paditura IPK – Ministria e Punëve të Brendshme, si Vendimin për lirim nga pozita drejtuese i datës 17 mars 2017, Vendimin për transfer të datës 3 maj 2017 dhe Vendimin tjetër të 7 nëntorit 2017.

Më anë të këtij aktgjykimi, gjykata e ka detyruar të paditurën IPK – MPB, që paditësen Valbona Osmani ta kthej në punë në pozitën paraprake si Udhëheqëse e Departamentit për Hetime Speciale në IPK apo në pozitë tjetër ekuivalente, me të gjitha të drejtat nga marrëdhënia e punës.

Po ashtu, e paditura IPK është obliguar nga gjykata që paditëses Osmani t’ia kompensojë diferencën në të ardhura personale, paga dhe shtesa, për periudhën 14 qershor 2016 e deri më 31 dhjetor 2020, në shumën prej 20,424.47 euro, pastaj në emër të kontributit pensional shumën prej 2,374.2 euro, tatimin në ATK në vlerë 2,269.83 euro, me kamatë vjetore prej 8%, nga nxjerra e këtij aktgjykimi e deri në pagesën definitive.

Lidhur me këtë, kryeshefi i IPK-së Kushtrim Hodaj përmes komunikimit telefonik ka njoftuar se kanë ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi dhe se janë në pritje të verdiktit final nga Gjykata e Apelit.

“Ne jemi njoftu prej zyrës së Avokatit të Shtetit për këtë vendim edhe gjithashtu jemi njoftu për faktin se Avokati i shtetit ka bo ankesë në Gjykatën e Apelit lidhur me këtë vendim të Gjykatës Themelore  edhe na duhet me prit vendimin e Gjykatës së Apelit. Është vendim i apelueshëm ndaj të cilit është bo ankesë nga avokati shtetëror dhe na detyrohemi me prit deri sa vendimi të bohet i plotfuqishëm, nëse jetë ky vendim apo ndërrohet apo varësisht prej asaj që gjykata nxjerr si vendim final”, ka deklaruar Hodaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, IPK është obliguar kompensimet e lartcekura ti realizoj brenda afatit prej 7 ditëve pas pranimit të këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e përmbarimit të detyrueshëm.

Krahas kësaj, gjykata e ka detyruar të paditurën IPK që paditëses Osmani t’ia paguajë edhe shpenzimet procedural në shumën prej 1,100.00, në afat prej shtatë ditësh pas pranimit të këtij aktgjykimi.

Ndërsa, gjykata ka refuzuar pjesën tjetër të kërkesë padisë së paditëses Valbona Osmani, me të cilën kishte kërkuar që të obligohet e paditura IPK që të bëjë kompensimin e të ardhurave në emër të pagave dhe shtesave në shumën prej 5,096.53, pastaj kontributet pensionale në lartësi prej 610.8 euro dhe tatimin në ATK në vlerë prej 593.17 euro.

Në arsyetimin e këtij aktgjykimi thuhet se gjykata, pas vlerësimit të provave të administruara, kishte gjetur si fakt të provuar se e paditura IPK, gjatë kohës sa paditësja Osmani ishte në suspendim, ka shqiptuar vendimin për lirim nga pozita drejtuese dhe kishte hapur konkurs për vendin e punës së paditëses, e cila kishte Akt emërimin e datës 28 shkurt 2014, për pozitën e lartcekur, në kohëzgjatje të pacaktuar.

Fillimisht, gjykata ka konstatuar se në asnjë rrethanë nuk është vërtetuar fakti se paditësja Osmani të jetë shpallur përgjegjëse për kryerjen e veprës penale që i ngarkohej, pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë kishte hedhur akuzën në mungesë provash për ato vepra, të cilat kishin pasojë suspendimin e përkohshëm. Sipas gjykatës, ishte fakt vendimtar hedhja e aktakuzës për veprat që i ngarkoheshin paditëses, të cilat kishin për pasojë suspendimin e përkohshëm.

Andaj, sipas gjykatës, duke konsideruar se vendimet e të paditurës për masën e suspendimit, çështje e vetme që kanë sjellë ato ka qenë ekzistimi i dyshimit për kryerjen e veprës penale, rrjedhimisht rezulton se ato vendime janë të paligjshme.

Në këtë vendim thuhet se e paditura IPK me rastin e shqiptimit të vendimit për lirim nga pozita drejtuese, nuk i ka zbatuar dispozitat ligjore të Udhëzimit Administrativ të MPB me nr. 01/2017 për procedurat lidhur me kushtet e punësimit dhe të Punës për Punonjësit e IPK-së si dhe Udhëzimin Administrativ (MPB) me nr.16/2015 për përcaktimin e shkeljeve, masave disiplinore dhe procedurës disiplinore ndaj punonjësve të IPK-së.

Gjykata ka arsyetuar se lidhur me shkeljet që pretendohen se ishin bërë nga paditësja, e paditura përgjatë procedurës kontestimore asnjëherë nuk kishte arritur të argumentoj dhe provoj faktin se për të tilla sjellje këtu paditësja të jetë shpallur fajtore, respektivisht të jetë dënuar për veprën që i ngarkohej.

Sipas gjykatës, e paditura nuk ka arritur të dëshmoj se shkeljet disiplinore të pretenduara janë bërë nga paditësja, edhe pse për pretendime të tilla palët obligohen të paraqesin prova sipas LPK-së.

Gjykata ka konstatuar se e paditura nuk kishte zbatuar në mënyrë konsekuente dispozitat e udhëzimit administrative me nr. 16/2015, pasi pas kalimit të afatit të suspendimit dhe pushimit të procedurës penale të iniciuar ndaj paditëses, IPK nuk e kishte kthyer atë në pozitën që paditësja kishte pasur para suspendimit.

Andaj, me pretendimin se veprimet e ndërmarra nga IPK përmbanin shkelje të dispozitave ligjore të cituara si më lartë, gjykata ka vendosur që vendimet e atakuara të të paditurës të anulohen në tërësi si të paligjshme.

Kjo, pasi sipas gjykatës, me provat materiale që iu ofruan asaj në shqyrtimin kryesor nga ana e palëve ndërgjyqëse, nuk u provuan shkeljet disiplinore të cilat janë cekur në vendimin mbi ndërprerjen e kontratës së punës paditëses.

“Pas përfundimit të masës së suspendimit, paditësja ka qenë dashur që fillimisht të kthehet në pozitën që ka pasur apo në ndonjë pozitë ekuivalente e më pas të aplikoheshin masat tjera, duke përfshirë këtu kuadrin e ri sistematizimit, pra duke u ruajtur pozita ekuivalente”, thuhet në këtë vendim.

Ndryshe, Betimi për Drejtësi në janar vitit 2018 kishte realizuar hulumtim mbi shkeljet ligjore të një konkursi të shpallur nga Inspektorati Policor i Kosovës, për 17 vende të lira të punës në këtë institucion, e ku siç thuhet në vendimin e MPB-së, auditori i kësaj ministrie ka gjetur plot 15 shkelje ligjore në procedurat e rekrutimit të këtij konkursi.

Pas këtij hulumtimi të realizuar nga Betimi për Drejtësi, ish-ministri i MPB-së Bejtush Gashi e kishte shkarkuar nga detyra ish-Kryeshefin e suspenduar të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Hilmi Mehmeti.

Në vendimin e ish-ministrit Gashi, që mban datën 21 qershor 2018, thuhet se Hilmi Mehmeti me veprimet e tij, ka shkaktuar keqmenaxhim të vazhdueshëm të IPK-së, ka dështuar të përmbush objektivat strategjike të IPK-së dhe përfundimisht, sipas vendimit, me veprimet e tij në keqmenaxhim të vazhdueshëm, Mehmeti ka dëmtuar imazhin e IPK-së.

Ndërsa, auditimi i këtij konkursi ishte bërë me kërkesë të ish-ministrit të MPB-së Flamur Sefaj, nga ana e Njësisë së Auditimit të Brendshëm të MPB-së, dhe atë, pasi “Betimi për Drejtësi” kishte transmetuar një audio-incizim ku shiheshin dallaveret që kishin ndodhur në procedurën e rekrutimit lidhur me konkursin në fjalë.

Pas të gjeturave të auditimit, më 18 dhjetor të vitit të kaluar, ish-ministri i MPB-së në atë kohë, Flamur Sefaj kishte bërë kërkesë që ky konkurs të anulohej, dhe një gjë të tillë edhe kishte ndodhur më 29 dhjetor 2017.

I gjithë rasti ishte iniciuar në nëntor të vitit të kaluar, kur MPB-ja kishte pranuar një ankesë në lidhje me këtë konkurs, nga ana e anëtarit të komisionit për rekrutim, Qerim Bytyqit, njëherësh udhëheqës për hetime në Divizioni e Prizrenit/Pejës, në kuadër të IPK-së, i cili përmes një shkrese kishte njoftuar ish-ministrin për shkeljet e komisionit në procedurën e rekrutimit.

Për më tepër rreth këtyre shkeljeve, siç thuhet në vendimin e MPB-së, ekzistojnë edhe audio-incizime, ku anëtarët e komisionit shihen se janë shantazhuar dhe janë detyruar të bëjnë shkelje ligjore në këtë proces, e të cilat audio-incizime siç e thotë edhe vendimi i ministrit, janë transmetuar në emisionin “Betimi për Drejtësi”.

Tashmë ish-Kryeshefi i IPK-së, ishte suspenduar nga ish-ministri i MPB-së, Flamur Sefaj, më 2 shkurt të këtij viti, për shkak të hetimeve që kishin filluar ndaj tij në lidhje me konkursin e IPK-së për 17 pozita të inspektorëve dhe hetuesve.

Suspendimi i tij me pagesë, kishte ardhur vetëm pak ditë, pasi që emisioni “Betimi për Drejtësi”, i cili transmetohet në RTK, kishte shfaqur hulumtimin e zhvilluar mbi shkeljet ligjore të konkursit në IPK.

Në këtë emision, janë evidentuar shkeljet ligjore të konkursit të IPK-së, si dhe është shfaqur një audio-incizim, i cili ka dëshmuar ushtrimin e ndikimit të ish-Kryeshefit Hilmi Mehmeti tek tre anëtarët e Komisionit të Testit Fizik, për ta futur në listën e kandidatëve të suksesshëm djalin e axhës së tij, Sylejman Mehmeti dhe kandidaten Fatlinda Zymberi edhe pse të dy këta kishin dështuar në disiplinën 300 metra.

Ky institucion, kishte shpallur konkurs për 17 pozita të inspektorëve/hetuesve. Në këtë konkurs kishin konkurruar edhe djali i axhës së ish-Kryeshefit të IPK-së, Hilmi Mehmeti.

Në fazën e dytë të testimit fizik, djali i axhës së ish-Kryeshefit, së bashku me një kandidate tjetër, nuk kishin arritur të kalonin me sukses.

Gjatë emisionit është shfaqur edhe një audio-incizim të cilin e ekipi “Betimi për Drejtësi” e ka siguruar dhe i cili dëshmon se si ish-Kryeshefi tenton të ndikojë me çdo kusht tek anëtarët e Komisionit që djali i axhës së tij dhe kjo kandidate tjetër të kalojnë tutje në konkurs, edhe pse nuk kishin kaluar testin fizik.

Ndërkohë, informatori Qerim Bytyqi, Kryetar i Komisionit përzgjedhës duke shfrytëzuar Ligjin për Mbrojtjen e Informatorëve, Ligjin për IPK dhe Kodin Penal, ka informuar Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë për parregullsitë e këtij konkursi. Por, edhe këtu ka probleme.

Hetimet ndaj ish-Kryeshefit të IPK-së, i ka zhvilluar prokurori Ibrahim Berisha, djali i të cilit, kishte konkurruar në këtë konkurs dhe kishte kaluar me sukses.

Pas një lufte të shkresave nga informatori Qerim Bytyqi, prokurori Ibrahim Berisha, i cili kishte zhvilluar disa takime me ish-Kryeshefin e IPK-së, ishte tërhequr nga hetimi i rastit, për shkak të konfliktit të interesit.

Tani hetimet janë duke u zhvilluar nga prokurori, Feti Tunuzliu, por ende nuk dihet se çfarë rezultati është arritur deri më tani.

Në trend Lajme

Më shumë
Aksioni i Policisë në veri, u konfiskuan rreth 75 milionë dinarë, 1.6 milion euro, dollarë e franga

Aksioni i Policisë në veri, u konfiskuan rreth 75 milionë dinarë, 1.6 milion euro, dollarë e franga

Siguri
Aksioni i PK-së në veri, kërcënon Daçiq: Kjo çon në konflikte të reja në Ballkan, me pasoja të pallogaritshme

Aksioni i PK-së në veri, kërcënon Daçiq: Kjo çon në konflikte të reja në Ballkan, me pasoja të pallogaritshme

Lajme
Lajçaku caktoi kushte për çështjen e dinarit, në pikëpyetje takimi tjetër

Lajçaku caktoi kushte për çështjen e dinarit, në pikëpyetje takimi tjetër

Lajme
Dy gra u martuan te Bashkia e Tiranës, Malaj: Kundër veprimeve që e tejkalojnë ligjin

Dy gra u martuan te Bashkia e Tiranës, Malaj: Kundër veprimeve që e tejkalojnë ligjin

Lajme
Publikohet dosja britanike e Berishës 'non-grata': Përmenden grupe të krimit të organizuar

Publikohet dosja britanike e Berishës 'non-grata': Përmenden grupe të krimit të organizuar

Lajme
Rikthehet industria ushtarake, Shqipëria do të prodhojë armë

Rikthehet industria ushtarake, Shqipëria do të prodhojë armë

Lajme
Kalo në kategori