LAJMI I FUNDIT:

Inflacioni ngadalëson rritjen botërore të pagave

Inflacioni ngadalëson rritjen botërore të pagave

Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) ka zbuluar se kriza botërore e inflacionit, e shoqëruar me rritjen e dobët ekonomike dhe perspektivën e paqartë nga pasiguritë, ka sjellë një rënie të pagave reale në mbarë botën.

Sipas raportit të Pagave 2022-2023, pagat reale mujore në nivel botëror kanë rënë mesatarisht me 0.9 për qind këtë vit, duke shënuar kështu rënien e parë të të ardhurave reale në shkallë botërore në shekullin e fundit.


“Krizat e shumta globale me të cilat po përballemi kanë sjellë një rënie të pagave reale. Kjo i ka vendosur dhjetëra miliona punonjës përballë një situate të tmerrshme, ku pasiguritë janë duke u shtuar”, tha në një deklaratë drejtori i përgjithshëm i ILO, Gilbert Houngbo, duke shtuar se “pabarazia në të ardhura dhe varfëria do të rriten nëse nuk mbrohet fuqia blerëse e atyre që paguhen më pak”.

Ndërkohë që inflacioni u rrit më me shpejtësi në vendet me të ardhura të larta, duke sjellë rënie mbi mesataren të pagave reale në Amerikën e Veriut me minus 3.2 për qind dhe në Bashkimin Evropian me minus 2.4 për qind.

ILO ka zbuluar se personat me të ardhura të ulëta janë prekur në mënyrë disproporcionale nga rritja e inflacionit. Duke qenë se ata me paga më të ulëta shpenzojnë një pjesë më të madhe të të ardhurave të tyre për mallra dhe shërbime thelbësore, të cilat përgjithësisht pësojnë rritje më të shumta të çmimeve sesa artikujt jo thelbësorë, kjo kategori përballet me ndikimin më të madh të kostos së jetesës nga rritja e çmimeve. /Telegrafi/