Banka Qendrore e Holandës ka zhvendosur 86 tonë të rezervave të saj të arit nga Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja në Londër, duke e justifikuar vendimin me “rritjen e trazirave gjeopolitike”.

Banka tha se rezervat e arit të mbajtura në Londër mund të tregtohen më lehtë sesa ato që ndodhen në New York dhe Otavë. Kjo, sipas saj, e bën më të shpejtë përdorimin e rezervave në rast të një krize, shkruan euronews.


“Me këtë hap kemi përmirësuar mundësinë e përdorimit të rezervave të arit. Shpresojmë që të mos kemi kurrë nevojë t’i përdorim ato, por është e nevojshme të forcojmë qëndrueshmërinë dhe gatishmërinë tonë”, tha presidenti i bankës, Olaf Sleijpen.

Në fund të vitit 2025, Holanda kishte gjithsej 612.4 tonë ar, me një vlerë prej rreth 72.2 miliardë eurosh. Para zhvendosjes, 31.3 për qind e rezervave ndodheshin në New York dhe 19.7 për qind në Otavë.

Pas transferimit, pjesa e arit holandez të mbajtur në Londër është rritur nga 18.1 në 32.1 për qind, ndërsa SHBA-ja dhe Kanadaja tani përbëjnë secila nga 18.5 për qind të rezervave. Holanda vazhdon të mbajë 30.8 për qind të arit të saj brenda vendit.

Zhvendosja u realizua pjesërisht përmes blerjes dhe shitjes së arit dhe pjesërisht përmes transportit fizik.

Më shumë se 27 tonë ar u transportuan fizikisht nga SHBA-ja dhe Kanadaja në Zeist të Holandës, ndërsa e njëjta sasi u dërgua më pas nga Zeist në Londër, duke shmangur nevojën për shkrirjen e shufrave të arit. /Telegrafi/