LAJMI I FUNDIT:

Infektologu Izet Sadiku: Sipas të gjitha parametrave, viti 2022 duket të jetë viti kur do të futet në kontroll pandemia

Tashmë po bëhen gati dy vite prej se Kosova po ballafaqohet me pandeminë e coronavirusit.

Kjo ‘luftë’ me ‘luftëtarin e padukshëm’ ishte shpesh e vështirë, duke përballur vendin tonë edhe me numër të madh të qytetarëve që humbën jetën.


Por, për dallim nga viti 2020, viti 2021 na gjeti më të përgatitur e më me eksperiencë sipas infektologut Izet Sadiku.

Foto: Telegrafi

Sadiku në një intervistë për Telegrafin tregon se si ishte viti që lamë pas në përballje me pandeminë, sa janë të kënaqshme statistikat e vaksinimit në vendin tonë, si dhe tregon se kur sipas tij pritet të përfundoj kjo pandemi.

Fillimisht, infektologu Sadiku tregon se si ishte viti 2021 nga ana e pandemisë në Kosovë:

“Viti 2021 përkundër se kemi pasur goxha shumë raste, ka qenë një vit më ndryshe nga viti 2020, kjo për shkak kemi pasur një eksperiencë ne si staf mjekësor dhe qytetarët me coronavirusin, dhe ishte vit kur ka filluar aplikimi i vaksinës. Në fillim të vitit diku në mars – prill të vitit 2021 kemi pasur një valë dhe pastaj në gusht – shtator kemi pasur valën më të rëndë që nga fillimi i pandemisë, ku kemi pasur mbi 2500 të infektuar në ditë për një muaj me radhë, dhe një numër të madh vdekjesh. Muajt në vazhdim, pra tetori, nëntori dhe dhjetori ishin më të qetë sa i përket situatës epidemiologjike, ku rrallë kalojnë mbi 20 raste në ditë, pra kemi një situatë stabile në fund të këtij viti që po i kalon edhe vendet e rajonit. Në këtë situatë stabile kanë ndikuar disa faktorë, një pjesë e madhe e popullsisë e kanë kaluar COVID-19, në një hulumtim të bërë nga IKSHPK në fillim të vitit ishin 38 për qind, pas asaj kemi pasur disa valë, ndaj ka edhe shumë qytetarë që kanë kaluar sëmundjen dhe kanë fituar një imunitet solid. Tashmë deri në 45 për qind të qytetarëve janë të vaksinuar, dhe një faktor tjetër është se ne kemi filluar vaksinimin masiv gjatë gushtit, ku ka ndikuar që një numër i qytetarëve ende të kenë imunitet dhe të mos kemi numër të madh rastesh infektimi”.

Foto: Telegrafi

Tutje, ai tregon se a u morën përgjithësisht masat e duhura për parandalimin e virusit:

“Ka pas vështirësi me masat anti-COVID gjithkund nëpër botë, pasi ka qenë një sëmundje që ka shkaktuar shumë shqetësim që dy vite nëpër botë dhe ka qenë pandemia më e madhe e këtij shekulli apo edhe nga viti 1919 kur ishte pandemia e gripit spanjoll. Është e vështirë të bëhet një analizë për masat që janë marrë, pasi kjo ka qenë një sfidë e shëndetit publik, është dashur të bëhet një lloj balancimi mes zhvillimit ekonomik, pasi mbyllja e shteteve ka qenë problematike, përveç aspektit ekonomik po ashtu ka qenë problematike edhe nga ana e shëndetit mendor, duke marrë parasysh se njerëzit tash e dy vite janë më shumë të mbyllur”.

Foto: Telegrafi

Duke ditur se tani bota po përballet me një variant të ri të COVID-19, infektologu tregon se a janë tani për tani masat e duhura për të luftuar variantin Omicron:

“Sa i përket variantit Omicron e dimë se është një variant që është paraqitur së fundmi, deri tash ka mbi 80 shtete që kanë raportuar raste me këtë variant, ende është herët të bëhen krahasime, por deri tani nga hulumtimet del se është një virus që përhapet më shpejtë, por fatbardhësisht ka më pak gjasa që të kenë klinikisht manifestime të rënda. Prapë se prapë arma më e fortë mbetet vaksinimi i popullsisë”.

Por, sa janë sipas tij të kënaqshme statistikat e vaksinimit në vendin tonë?

“Deri tani nga të gjitha studimet kanë treguar se vaksina nuk shkakton as sterilitet, as nuk ndikon në gji dhënie dhe duhet ta marrin gratë shtatzëna, pasi rrezikshmëria e vdekshmërisë është më e madhe te gratë shtatzëna se sa te qytetarët e tjerë. Mendoj se përkundër sfidave Kosova ka një numër të kënaqshëm të personave të vaksinuar, por duhet të vazhdohet angazhimi për sensibilizim”.

Foto: Telegrafi

Në vazhdimësinë e bisedës për Telegrafin, Dr. Izet Sadiku tregon a ndihmojnë vaksinat kundër varianteve të reja të virusit:

“Edhe pse nuk ka studime të qarta, informatat e deri tanishme tregojnë se ka efekte, por është konsideruar që te personat që janë vaksinuar numri i antitrupave është i vogël, ndaj është këshilluar të kryhet vaksinimi edhe me dozën e tretë. Pas vaksinimit edhe me dozën përforcuese rritet mbrojtja deri në 75 për qind kundër variantit Omicron”.

Foto: Telegrafi

A do të ketë mutacione të reja të coronavirusit në të ardhmen e afërt?

“Kjo varet nga epidemiologjia e sëmundjes, sa më shumë që përhapet sëmundja, rritet mundësia e mutacioneve të virusit. Ndaj është duke u bërë punë globalisht që të vaksinohet e gjithë bota, pasi jemi dëshmitarë që nga Afrika ku ka numër të vogël të personave të pa vaksinuar kanë dal dy variantet e fundit: Delta dhe Omicron. Pra, nga vendet e pa vaksinuara po rrezikohen edhe vendet që kanë deri në 80 për qind të popullsisë të vaksinuar”.

Foto: Telegrafi

Kur pritet të përfundoj kjo pandemi?

“Kjo është pyetje për një milion dollarë. Por sipas të gjitha parametrave, viti 2022 duket të jetë viti kur do të futet në kontroll pandemia, në qoftë se nuk ndodh diçka e jashtëzakonshme me virusin”.

Intervistën e plotë të infektologut Izet Sadiku mund ta ndiqni më poshtë:

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori