Statistikat e Doganës së Kosovës tregojnë se ka rritje të qumështi që vjen nga jashtë dhe se rritja e importit, sipas qumështarëve, është duke ua vështirësuar punën në fermerëve vendorë.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka treguar se në pesë muajt e parë të vitit 2018, ka rritje të importit të qumështi nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

“Në pesë muajt e parë të vitit 2018 janë importuar mbi 45 milionë litra qumësht në shumë prej mbi 26 milionë euro, kurse në periudhën e njëjtë të vitit 2017, janë importuar mbi 30 milionë litra qumësht në vlerë prej mbi 17 milionë euro”, tha Stavileci

Kryetari i Shoqatës së Fermerëve Kosovarë të Qumështit, Besim Kuçi ka thënë se për shkak të moskujdesit të duhur shtetëror, Kosova rrezikon të mbetet pa fermerë.

“Importi i pakontrolluar i qumështit dhe produkteve të qumështit si dhe importi i vajit të palmës është duke na dëmtuar vazhdimisht. Shteti nuk është duke bërë sa duhet për të mbikqyrur konkurrencën në sektorin tonë”, ka thënë Kuçi.

Ai ka përmendur Danimarkën si shembull i mirë i mbrojtjes së fermerëve dhe Bullgarinë si shembull i neglizhencës ndaj këtij sektori.

“Ne jemi duke shkuar në hapat e Bullgarisë ku sot pothuajse nuk ka ka fermerë fare. Por ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodh”, tha Kuçi.

Kurse, qumështari Ramadan Memaj, ka thënë se institucionet duhet të ndërmarrin masa urgjente për të mbrojtur industrinë vendore të qumështi.

Sipas tij, qumështarët kanë mundësi dhe kapacitete për ta rritur prodhimin e qumështit vendor.

“Rritja e importit të qumështit ka thelluar problemet e prodhimit vendor duke ndikuar direkt në mbyllje dhe zvogëlim të fermave, ulje të prodhimtarisë vendore, zvogëlim të numrit të të punësuarve në sektor dhe rritje të pasigurisë se në një të ardhme të afërt do të ketë zgjidhje për problemet e tyre”, ka treguar Memaj.

Sipas tij, me qëllim të daljes nga kjo gjendje Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, duhet t’i ndërmarrë disa veprime.

“MTI-ja duhet urgjentisht ta ndalojë tregtimin dhe tërheqjen nga tregu të gjitha produkteve mashtruese dhe të dëmshme për industrinë dhe shëndetin e konsumatorëve e sidomos ato me vaj palme, duhet të bëjë ndërmarrjen e masave antidamping, kundër produkteve që ushtrojnë damping dhe kundër produkteve të subvencionuara që vijnë nga jashtë, po ashtu në mënyrë urgjente duhet të aprovohet ligji për tregtinë e brendshme në mënyrë qe prodhuesit vendorë të mbrohen nga diskrimini i mëtutjeshëm”, tha qumeshtari, Ramadan Memaj.

Ndërkaq, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), kanë thënë se kanë ndërmarr masa për këtë çështje.

“Lidhur me importin e qumështit, MTI-ja në muajin prill ka ndërmarrë masën mbrojtëse të përkohshme ndaj qumështit me origjinë nga Bosnja e Hercegovina dhe qëllimi i kësaj mase është kufizimi i importit deri në masën 17 për qind e qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina”, tha Sytrime Dervisholli, drejtore në Departamentin e Tregtisë në MTI.

Kuqi: Qeveria po hesht për masat mbrojtëse të importit të qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina Kuqi: Qeveria po hesht për masat mbrojtëse të importit të qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina

Por, pavarësisht se është marr ky vendim për masa mbrojtëse, nuk është duke u zbatuar. /KP /Telegrafi/