eksperti ad

Seanca e së premtes e Kuvendit Komunal të Gjilanit u përshkua me tensione midis asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive opozitare, duke çuar deri në një incident që për pak sa nuk përfundoi në përleshje fizike.

Nga pamjet e publikuara nga seanca shihet kur situata ka eskaluar gjatë bllokimit të seancës, pasi që drejtori komunal nga radhët e Vetëvendosjes, Kushtrim Ibrahimi, e shtyu me dorë asamblistin nga radhët e PDK-së, Burhan Isufi.


Përplasja erdhi pasi nuk u fut në rend të ditës pika e propozuar nga partitë opozitare për raportimin e punës njëvjeçare të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, për vitin 2025. Sipas opozitës, shtyrja e këtij raportimi nuk ka kuptim, pasi muajin e ardhshëm pritet të prezantohet raporti gjashtëmujor për vitin 2026.

Pavarësisht nga kundërshtimet e opozitës, nën kushte të jashtëzakonshme shumica e udhëhequr nga Vetëvendosje miratoi rendin e ditës pa përfshirë këtë pikë.



Pas votimit, asamblisti i Partisë Demokratike e Kosovës, Bujar Nevzati, bllokoi foltoren, duke kërkuar ndërprerjen e seancës. Atij iu bashkuan edhe asamblistë të tjerë të PDK-së dhe të LDK-së, të cilët nuk lejuan vazhdimin e punimeve.

“E kemi vendosur në rend ditës, s’është miratuar. Uluni. Pse jam një grua dhe një femër këtu po jeni katër burra, turp le t’u vijë. Mos me na lejuar të punojmë, fjalën e lirë e kemi, turp për ju”, dëgjohet të thotë kryesuesja e Kuvendit Komunal Krenare Latifi- Këiku.Ajo i ftoi shefat e grupeve kuvendore në një takim për të gjetur një zgjidhje. Ata refuzuan të merrnin pjesë, duke vazhduar bllokimin e seancës deri në ndërprerjen e plotë të saj.

Lidhur me rastin, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, reagoi përmes një komunikate, duke i cilësuar veprimet e opozitës si uzurpim të institucionit” dhe pengim me dhunë të punës së Kuvendit.

“Tërheqja me forcë e mikrofonit dhe mjeteve të punës, si dhe skena ku katër burra ushtrojnë presion ndaj një gruaje të vetme, kryesueses së Kuvendit të Komunës, Krenare Latifi Kçiku, janë të papranueshme në çdo standard demokratik. Këto veprime nuk përfaqësojnë debat politik, por tentativë për ta zëvendësuar fjalën me forcën. Qytetarët e Gjilanit nuk na kanë zgjedhur për të parë bllokada e dhunë. Na kanë zgjedhur për të marrë vendime, për të punuar dhe për t’u shërbyer atyre”, shkroi ai në Facebook. /Telegrafi/