LAJMI I FUNDIT:

Imazhet satelitore tregojnë shkatërrimet e shkaktuara nga zjarret në Greqi

Imazhet satelitore tregojnë shkatërrimet e shkaktuara nga zjarret në Greqi

Imazhet e reja satelitore tregojnë shkatërrimin e madh të shkaktuar nga zjarret e mëdha të pyjeve, që kanë pushtuar prej ditësh ishullin grek të Rodosit.

Më shumë se 100 kilometra katrorë tokë u dogjën në Rodos dhe aeroplanët e zjarrfikësve po luftojnë me flakët, transmeton Telegrafi.


Zjarret që kanë detyruar 19,000 njerëz të largohen, kanë shkatërruar habitatet e kafshëve të egra, koshere bletësh dhe toka bujqësore. Këto zjarre konsiderohen si fatkeqësia më e keqe që ka goditur Rodosin.

Rodos është shtëpia e drerit Dama-Dama, një specie e mbrojtur që jeton në pyjet me pisha dhe selvi, ku mund të gjejë ujë gjatë gjithë vitit.

Mediat greke raportojnë se autoritetet besojnë se zjarri ishte zjarrvënie dhe se ka nisur një hetim policor për zjarret.

Vassilis Vathrakogiannis, nga Shërbimi Zjarrfikës i Rodos, u tha gazetarëve se vala e të nxehtit mund të mos jetë fajtore për zjarret e mëdha.

“Zjarret janë ndezur nga dora e njeriut. Do të zbulojmë nëse ka qenë pakujdesia apo dikush e ka ndezur me dashje zjarrin. Ftojmë njerëzit të raportojnë çdo informacion të dobishëm. Sapo të kemi informacion të plotë, do të informojmë publikun. Hetimi është në vazhdim”, tha Vathrakogiannis.

Një video që qarkullon në rrjetet sociale në Greqi tregon zjarrin që shfaqet nga hiçi.

Një zyrtar i zjarrfikësve tha se zjarret në pyje në Rodos kanë prekur 10 për qind të hoteleve në pjesën qendrore dhe juglindore të ishullit. Pjesa veriore dhe perëndimore nuk u prekën. /Telegrafi/